Lajme
Përjashtohen për 10 ditë nga Kuvendi 7 deputetë të opozitës
Demokracia
17:36 | 11 Dhjetor 2023

Share:

Janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit për 10 ditë, shtatë deputetë opozitarë, pas trazirave që kanë shkaktuar gjatë seancës së fundit plenare të zhvilluar, kur është votuar edhe buxheti 2024.

Vendimi është marrë nga sekretariati i Etikës, i cili ka bërë me dije edhe emrat e deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike.

Ata janë: Ervin Salianji, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenja, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu.

Më 8 dhjetor, Komisariati nr. 1, në bashkëpunim me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) materialet në lidhje me incidentet e dhunshme dhe kaosin e shkaktuar nga deputetët opozitarë gjatë seancës së djeshme të Kuvendit.

Referimi i materialeve në SPAK nuk është bërë me emra konkretë, por materiali është referuar për grupin parlamentar të opozitës.

Mësohet se ata akuzohen për shkatërrim prone dhe përdorim i lëndëve piroteknike.

Më herët, gjatë incidenteve të mëparshme, i njëjti grup hetimor përcolli materialet në SPAK për Albana Vokshin dhe Flamur Nokën.

Për muaj të tërë, partitë opozitare shqiptare kanë përdorur flakë dhe zhurmë për të përçarë Parlamentin, në shenjë proteste ndaj asaj që ata e përshkruajnë si sundim autoritar të Partisë Socialiste në pushtet.

Të enjten, ligjvënësit miratuan buxhetin vjetor dhe projektligje të tjera, pavarësisht pretendimeve të opozitës se socialistët e majtë kanë bllokuar ngritjen e komisioneve për të hetuar akuzat për korrupsion në qeveri.

Të ngjashme