Lajme
“Përgjegjësia bie mbi shpatullat e tij”/ Haziri: Drafti u bë pasi Kurti dështoi ta punojë atë – nuk e ka ndarë me LDK-në dokumentin, s’do bashkëpunim
Demokracia
19:43 | 22 Nëntor 2023

Share:

Shefi i NATO’s, Jens Stoltenberg ka thënë se i mirëpret propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit dhe se ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon.

Lidhur me këtë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se vizita e Stoltenberg dhe propozimet që kanë dalë na japin besim për paqe dhe siguri nga NATO në vend.

“Natyrisht që vizita e sekretarit general të NATO-s në regjion dhe takimi me përfaqësuesit më të lartë të shteteve anëtare të NATO’s, si dhe propozimet që kanë dalë, na jep besim që prezenca e NATO-s në Kosovë nëpërmjet KFOR’it dhe kujdesi që tregon në ruajtjen dhe në zbatimin e paqes për të gjithë, është garancion, siguri e besim. Mbi të gjitha, angazhimi në këtë fazë kur kemi zëra të shërbimeve dhe shteteve që kriza mund të omoprotohet në Kosovë për motive krejt politike, tregon qartë që përkushtimi i aleatëve perëndimorë e euro-atlantik në Kosovë, është besim”, thotë ai.

Lidhur me atë se a është themelimi i Asociacionit është hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Haziri vlerëson se procesit të normalizimit nuk i mjaftojnë një apo dy marrëveshje, pasi deri tani janë arritur 33 marrëveshje.

“Tani procesit të normalizimit nuk i mjafton një apo dy marrëveshje sepse në këtë proces 11-vjeçar në mandatin e BE-së, Kosova ka realizuar 33 marrëveshje. Krejt poenta është që të gjitha marrëveshjet nuk kanë gjetur zbatim, duke përfshirë edhe gjendjen me marrëveshjen e vitit 2013, e cila është nën bojkot. Një numër i madh i policëve, gjyqtarëve, prokurorëve, shërbyesve civilë dhe ish-kryetarëve të komunave kanë bojkotuar dhe e kanë kthyer gjendjen në një situatë krejt të re”, thekson nënkryetari i LDK-së.

Haziri thotë se drafti i ri nga ndërmjetësit është në tavolinë për shkak të refuzimit të Kurtit që ta punojë një të tillë, duke shtuar ai nuk e ka ndarë me LDK-në, pasi nuk dëshiron që të bashkëpunojë.

“Një draft i ri i statutit nga ndërmjetësit ndërkombëtar është në tavolinë për shkak të refuzimit të z. Kurti ta punojë, për shkak që grupi punues i Kosovës ka dështuar me ofru një dokument racional në përputhje me marrëveshjen dhe për shkak të motiveve politike që situata tashmë në Kosovë dhe në këtë raport me Serbinë është evidente. Ai dokument i është ofruar palëve që të gjejnë rrugë të përbashkëta për të akomoduar, me kompetenca shtesë dhe me autorizime më të mëdha për komunitetin serb që jeton në veri, në qendër apo në pjesët tjera. Kjo është në fazën e negocimit, ajo që quhet komentimi i dokumentit, por ne si LDK ende jemi në pozicion që kryeministri nuk e ka ndarë me ne, nuk dëshiron që të koordinojë, bashkëpunojë e bashkëveprojë”, potencon ai.

Andaj, nënkryetari i LDK-së, shton se përgjegjësia kushtetuese dhe politike bie mbi shpatullat e tij dhe ekipit të tij, derisa thotë se Kurti e ka humbur mundësinë e artë që i ka dhënë gjendja pas 24 shtatorit.

“Kështu që, përgjegjësia kushtetuese dhe politike është në shpatullat e tij dhe ekipit të tij qeverisës. Presion më të madh se të vendosin masa ndëshkuese, mbi 235 milionë të ngrira momentalisht, Kosova është përjashtuar në fondin e Ballkanit perëndimor prej 500 milionë eurove, Kosova është përjashtuar nga ushtrimet ushtarake më të mëdha në Evropë prej aleatëve, asnjë prej ministrave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit nuk mund të udhëtojnë në vizita zyrtare Brenda BE-së, besohet edhe në SHBA. Ky është një rreth në të cilin është detyruar z, Kurti të negociojë. Gjendja pas 24 shtatorit Kosovës i ka dhënë një mundësi të artë dhe këtë mundësi z. Kurti e ka humbë”, deklaron Lutfi Haziri.

Të ngjashme