Lajme
Për 70 anesteziologë ka nevojë QKUK-ja, mungesë e madhe edhe për infermierë në MIQ
Demokracia
10:22 | 10 Korrik 2022

Share:

Vetëm 51 anesteziologë janë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët janë të angazhuar në disa klinika. Krahas mungesës, institucionet publike shëndetësore po ballafaqohen edhe me largimin e këtij stafi, qoftë në klinikat private apo edhe jashtë Kosovës.

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, Gazmend Spahija, ka thënë për Ekonomia Online, ka thënë se mungesa e anesteziologëve në këtë klinikë është evidente, pasi ka angazhime në shumë njësi punuese.

Ai ka thënë se nga kjo Klinikë nga viti 2020 vendin e punës e kanë lënë 17 anesteziologë, ndërsa dy prej tyre kanë ndërruar jetë. Bile, edhe dy të tjerë do të pensionohen gjatë këtij viti.

“Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv viteve të fundit e sidomos prej viti 2020 është duke u përballë me numër të vogël të anesteziologëve, dhe është për shkak të pensionimit të disa kolegëve dhe për shkak të largimit të kolegëve nga sektori publik në atë privat. Gjithashtu fatkeqësisht kemi pas edhe vdekjen e dy kolegëve të Anestezionit, kështu që me dy kolegë që pritet të pensionohen këtë vit, ne mbesim pa 19 kolegë. Për këtë periudhë kemi pranuar shtatë kolegë, kështu që kemi mbetur me 51 anesteziologë aktiv, të cilët jemi angazhuar në salla operative, në emergjentë në tri njësi intenzive”, tha Spahija, teksa shtoi se aktualisht këta anesteziologë janë të angazhuar në 40 njësi në Klinikat të ndryshme.

Spahija ka thënë se aktualisht kanë nevojë edhe për 70 anesteziologë, duke e quar numrin në 120, sa është parallogaritja.

“Në MIQ pacientët nuk mbesin keq fare, ne e kemi shpeshtuar numrin  e kujdestarive, kështu që tani jemi në çdo të gjashtën ditë kujdestar edhe nëse na zvogëlohet numri i anesteziologëve, Njësitë kyçe dhe emergjenca do të jenë funksional në 24/7. Sipas një parallogaritje, për QKUK-në ka nevojë për 120 anesteziologë, dhe ne jemi vetëm 51, kështu që na nevojiten edhe 70”, tha ai, duke shtuar se Kosova radhitet në Evropë për numër të vogël të anesteziologëve.

Krahas mungesës së anesteziologëve, MIQ-i ka mungesë edhe të infermierëve. Për tri vite nëntë të tillë e kanë lëshuar punën, ndërsa tre janë pensionuar.

“Mungesa në Klinikë është shprehur edhe në kuadër të stafit infermieror dhe ky staf është zvogëluar për tri vite për 12 infermierë, prej të cilëve kemi të pensionuar tre, kurse e kanë lëshuar punën nëntë të tillë. Edhe me përfundimin e kontratës me Bankën Botërore, është shtuar edhe më shumë mungesa e infermierëve. Kërkesa është edhe për 50 infermierë”, tha ai.

Numri i vogël i stafit mbështetës ka bërë që një infermier të përkujdesët për së paku tre pacientë të shtrirë në Klinikën e Mjekimit Intenziv.

Ikja jashtë shtetit dhe pensionimi janë dy shkaktarët që kjo Klinikë po përballet me mungesë të infermierëve.

“Varet prej numrit të pacientëve që i kemi. Aktualisht janë 21 shtretër, në një ndërrim janë 7 ose 8, varësisht prej numrit të pacientëve. Raporti infermierë me pacientë është prej 2.6 ose 3. Është e vështirë të përkujdeset një infermier për tre pacientë dhe për këtë është e informuar drejtoria Qendrore por njëjtë edhe Ministria e Shëndetësisë. Po gjithsesi ka prekur, kryesisht specializantët, derisa në konkursin e fundit janë pranuar 44 specializantë, katër prej tyre nuk ardhë fare, ndërsa 40 që kanë mbet 8 vetëm kanë migruar jashtë. Pra për momentin i kemi vetëm 30 specializantë në QKUK”, tha ai.

Të ngjashme