Lajme
Për 21 vjet u shkatërruan mbi 100 mijë mina, Mehaj: Specialistët e deminimit janë heronj
Demokracia
14:59 | 04 Prill 2022

Share:

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me rasti e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Minave, ka çmuar lartë punën e specialistëve të deminimit, duke i cilësuar si heronj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka marrë pjesë sot në Ditën Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Minave, në Parkun e Lirisë në Ferizaj.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Mehaj ka thënë se specialistët e deminimit, janë heronjtë tanë, transmeton Demokracia.com.

“Ata pandërprerë edhe 23 vjet pas luftës, janë ende në vijën e parë, përballë minave dhe mjeteve tjera të pashpërthyera, që ne të tjerët të jemi të mbrojtur dhe të sigurt. Deminerët e FSK-së, KFOR-it dhe organizatave tjera janë profesionalë, vigjilentë dhe të guximshëm dhe ajo që i bënë të veçantë është se, me misionin e tyre fisnik e lartësojnë uniformën ushtarake, si dhe e konfirmojnë betimin se mbi të gjitha është: Detyra, Nderi dhe Atdheu”, është shprehur Mehaj.

Ministri ka bërë të ditur se specialistët e deminimit për 21 vjet detektuan dhe shkatërruan mbi 100 mijë mina e mjete tjera të rrezikshme, pastruan mbi 60 milionë m2 terren të afektuar nga minat në afro 4500 pika të rrezikshme.

Njoftimi i plotë i Mehajt, pa ndërhyrje:

Për shënimin e 4 Prillit- Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Minave, sot së bashku me Gjeneral Cikaqin, ishim në ngjarjen e organizuar me këtë rast, nga Qendra Koordinuese e Deminimit, në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku specialistët tanë janë duke realizuar operacionin e tyre të deminimit humanitar.

Në këtë ditë të veçantë për specialistët e deminimit dhe asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera, shpreh edhe njëherë mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për heronjtë e ditëve tona.

Specialistët e deminimit, vërtetë jane heronjtë tanë sepse,  pandërprerë, edhe 23 vjet pas lufte, ata jane ende në vijën e parë, përballë minave dhe mjeteve tjera të pashpërthyera, që ne të tjerët të jemi të mbrojtur dhe të sigurtë.

Deminerët e FSK-së, KFOR-it dhe organizatave tjera janë profesionalë, vigjilentë dhe të guximshëm dhe ajo që i bënë të veçantë është se, me misionin e tyre fisnik e lartësojnë uniformën ushtarake, si dhe e konfirmojnë betimin se mbi të gjitha është: Detyra, Nderi dhe Atdheu.

Heronjtë tanë jane të heshtur por jehona e misionit të tyre dëgjohet shumë larg dhe është në zemrat e të gjithë njerëzve paqedashës në Botë.

Heronjtë tanë, për 21 vjet detektuan dhe shkatërruan mbi 100 mijë mina e mjete tjera të rrezikshme, pastruan mbi 60 milionë m2 terren të afektuar nga minat në afro  4500 pika të rrezikshme.

Me ligjëratat e realizuara në shkollat e Kosovës për vetëdijesim të fëmijëve ndaj minave dhe mjeteve piroteknike, Kompania e Deminimit ka arritur që të edukojë rreth 50 mijë nxënës në afro 1000 shkolla.

Urime edhe njëherë në këtë datë të veçantë, duke ju inkurajuar që të vazhdoni me misionin të shenjtë dhe sukseset tuaja të përhershme.

Nga pozita ime do të kenë gjithmonë mbështetjen e plotë për secilën çështje me interes për mirëqenien e tyre si dhe realizimin sa më të mirë të misionit të shenjtë.

Na priftë e mbara së bashku gjithmonë! . /Demokracia.com/

Të ngjashme