Lajme
Peng i Hamasit prej shumë ditësh, 33 vjeçari tajlandez flet pas lirimit: Mrekulli që mbijetova
Demokracia
15:46 | 25 Nëntor 2023

Share:

Familja e Vetoon Phoome druhej se ai ishte vrarë nga Hamasi, grupi radikal palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara  gjatë sulmit të muajit të kaluar në Izrael, derisa e kuptoi të shtunën se ai, në fakt, ishte liruar.

“Ai më kërkoi të mos qaja, dhe t’i tregojë nënës se po kthehej”, tha për Reuters Roongarun Wichagern, motra e madhe e Vetoon, e cila foli për ribashkimin emocional me të përmes një video.

Vetoon, 33 vjeç, i cili ka qenë duke jetuar në Izrael tash e pesë vjet, është njëri nga 10 pengjet tajlandeze që u liruan nga Hamasi të premten gjatë armëpushimit të parë të luftës shtatëjavore, e cila nisi me sulmin e grupit radikal palestinez në Izrael më 7 tetor.

“Ai tha: ‘Unë nuk kam vdekur, nuk kam vdekur’”, tregoi Roongarun, duke e quajtur “mrekulli mbijetesën e tij.

Dhjetë tajlandezët janë në mesin e 24 pengjeve të liruara të premten në këmbim të 39 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.  Qeveria e Tajlandës ka thënë se edhe 20 shtetas të vet janë ende duke u mbajtur peng.

Tajlandezët e liruar do të kthehen në atdhe pasi t’i kenë kaluar 48 orë në spital, tha Ministria e Jashtme e Tajlandës. Rreth 30.000 shtetas tajlandezë punojnë në Izrael, si njëri prej grupeve më të mëdha të punëtorëve emigrantë, shumica prej tyre në bujqësi.

Vetoon i ka thënë familjes së vet se kishte bërtitur “Tajlandë, Tajlandë!” kur luftëtarët e Hamasit i ishin afruar më 7 tetor, dhe se u rrëmbye dhe u mbajt në tunele, megjithëse nuk u lëndua apo tortura, tha Roongarun.

Atij i ishte ofruar ushqim dhe ujë dhe nuk duket të ketë humbur peshim, shtoi ajo./Rel

Të ngjashme