Lajme
PDK: Raporti i BE-së për Kosovën dëshmoi paaftësinë e Qeverisë dhe mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin
Demokracia
16:34 | 15 Tetor 2022

Share:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, në një Konferencë për Media të mbajtur sot, kanë folur për raportin e BE-së për Kosovën.

Tahiri dhe Deliu kanë thënë se ky raport dëshmon edhe një herë paaftësinë e kësaj qeverie për tu marrë me problemet reale të qytetarëve të Kosovës.

Raporti ka evidentuar një numër të madh të problemeve me të cilat ballafaqohet vendi, me theks të veçantë dështimin e Qeverisë me shëndetësinë, lirinë e mediave dhe kritikat ndaj tyre, mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe performancën e dobët legjislative.

“Kjo Qeveri nuk ka shënuar progres në fuqizimin e gjyqësorit. Kjo tregon për paaftësinë e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, nënvizohet mungesa e vullnetit nga Qeveria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ai ka thënë se është pikërisht kontributi i opozitës që ka bërë që raporti të jetë i kënaqshëm në disa fusha.

“Ne dallojmë shumë me mënyrën e të bërit opozitë me partinë në pushtet. Edhe si opozitë, kemi dhënë kontributin tonë në secilën mundësi për ti garantuar progres vendit. Prandaj, si Grup Parlamentar, ne i këmi dhënë mbështetje 30 marrëveshjeve ndërkombëtare, për dallim nga e kaluara e Vetëvendoses. Për më tepër, si opozitë ne i kemi dhënë mbështetje Qeverisë edhe për Vetingut – çka e evidenton raporti i progresit”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se edhe në reformën zgjedhore, çka raporti e vlerëson si progres, është angazhim i PDK-së që ti japin mbështetje këtij procesi.

Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se sfidat e raportit për vendin janë të mëdha dhe, të njëjtat, do ti trajtojnë edhe në Kuvendin e Kosovës përmes një seance që do ta thërrasin.

“Raporti vërteton se nuk ka asnjë reformë të rëndësishme në aspiratën e Kosovës për integrim. Raporti vë theks në veprimet në lidhje me sundimin e ligjit, në reformat në Administratë Publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e deri te veprimet e mangëta për të luftuar informalitetin e ekonomisë. Shqetësuese mbetet edhe gjuha linquese që është përdorur ndaj gazetarëve”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ndërkaq, sa i përket punës së Kuvendit, Tahiri ka thënë se raporti thekson se ka një mazhorancë stabile në kuptimin e numrave, por të dobët në menaxhimin e tyre.

Në fund, Tahiri ka komentuar edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me raportin për vendin.

“Ajo ishte më shumë një konferencë për shtyp, ku Vetëvendosje mundohet ti jap mësim Bashkimit Evropian e kritika si ajo po e trajton Serbinë. Sesa që folën për raportin e progresit. Besoj që Bashkimi Evropian ka qenë i vëmendshëm për të marrë këshilla nga Vetëvendosje. Të arriturat që i përmendën ata, janë kryesisht legjislative të cilat shumicën i kemi mbështetë ne”, përfundoi Tahiri.

Të ngjashme