Lajme
PDK në Gjilan zbulon një skandal të Hysenit: Përveç Radojiçiq dhe Simiq, VV po koordinohet edhe me Periq
Demokracia
14:25 | 15 Korrik 2023

Share:

Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan, përmes një komunikate të lëshuar për medie pretendon se Qeverisja e LVV-së në këtë komunë po kryen veprime dhe vendime të kundërligjshme. të njëjtit pohojnë se kryetari Hyseni është koordinuar në disa raste me politikanin serb Bozhidar Periq për disa vendime.

Në komunikatë thuhet se dy konkurse të shpallura nga komuna janë mbajtur sekret duke mos u publikuar në asnjë platformë.

“Bordi i ri i Ndërmarrjes Publike “Tregu” është emëruar dje nga dy anëtarët e VV-së që janë në Komisionin Komunal të Aksionarëve, duke e shkeluar me dy këmbë ligjin nr.03/L-087 për ndërmarrjet publike dhe ligjin nr.06/L-016 për shoqëritë tregtare”, thuhet në komunikatë.

Shkelja e dytë sipas PDK-së në Gjilan është fakti se anëtarët e zgjedhur për bord nuk i plotësojnë kriteret profesionale ashtu siç e kërkon ligji.

Ndërkaq në komunikatë thuhet se shkelja e tretë është kryer teksa kandidatët nuk janë ftuar fare për intervistim.

“Shkelja e tretë ligjore ka të bëjë me kandidatët që kanë aplikuar në konkursin e mbyllur, e që nuk janë ftuar fare për intervistim nga Komisioni Komunal i Aksionarëve, por vetëm janë mbi votuar, dhe atë pa u bërë asnjë vlerësim i kandidatëve, e rrjedhimisht kështu duke ju pamundësuar të gjithëve për të qenë pjesë e garës për anëtar të bordit”, thuhet në komunikatë mes tjerash.

Në anën tjetër, nga PDK thonë se kryetari i komunës, Alban Hyseni po koordinohet edhe me politikanin serb Bozhidar Periq.

“Për më tepër, edhe tek Ndërmarrja Publike “Stacioni i Autobusëve” janë bërë shkelje ligjore në koordinim të plotë bashkë me përfaqësuesin serb Bozhidar Periqin, duke emëruar bordin e përkohshëm dhe duke i larguar nga puna pa asnjë arsyetim zyrtarët e lartë të kësaj kompanie”, thuhet në komunikatën e PDK-së në Gjilan për medie.

Insajderi më parë ka raportuar për emërimin e Periq nga ana e kryetarit Hyseni.

Periq është emëruar anëtar i Komisionit të Aksionarit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve Gjilan”.Komunikata e plotë:

Qeverisja e LVV-së në Gjilan po vazhdon me veprime e vendime që janë në kundërshtim të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës, me qëllimin e vetëm për t’i shërbyer militantëve të saj dhe jo interesit institucional e publik.

Bordi i ri i Ndërmarrjes Publike “Tregu” është emëruar dje nga dy anëtarët e VV-së që janë në Komisionin Komunal të Aksionarëve, duke e shkeluar me dy këmbë ligjin nr.03/L-087 për ndërmarrjet publike dhe ligjin nr.06/L-016 për shoqëritë tregtare.
Sigurisht që përgjegjësi e llogari për këto shkelje të tyre, do të japin së shpejti para institucioneve përkatëse.

Asnjëherë deri më tani nuk ka ndodhë që konkursi i shpallur për bord të ndërmarrjes publike, të mbahet sekret dhe të mos publikohet askund ashtu siç e kërkon ligji. Këto konkurse nuk janë shpallur fare në faqen e komunës, apo të ndërmarrjeve publike, në gazetë zyrtare apo në media. Shpallja e tij vetëm në zyrën për marrdhënie me publikun, nuk mund ta arsyetojë shkeljen e ligjit.

Shkelja e dytë, ka të bëjë me atë se anëtarët e zgjedhur për bord nuk i plotësojnë kriteret profesionale ashtu siç e kërkon ligji, dhe nuk kanë përvojë së paku 5 vite në menaxhim në administrim të biznesit, financave, apo që ndërlidhet ngushtë me veprimtarinë afariste. Nga katër anëtarët e emëruar, sipas ligjit së paku dy nga ta duhet të jenë ekspertë ose së paku të kenë njohuri në kontabilitet. Vetëm njëri nga katër anëtarët e zgjedhur të bordit i ka plotësuar kushtet dhe kriteret, ndërsa tre të tjerët janë zgjedhur jashtë kritereve ligjore. Muhamed Jakupi, Anila Tusha, Bexhet Arifi dhe Erduan Hamiti janë emëruar nga anëtarët e KKA-së e që i përkasin VV-së.

Kualifikimin jo të duhur profesional (në këtë rast gjuhë dhe letërsi shqipe, gjuhë gjermane), nuk e lejon ligji për të qenë anëtar bordi i një ndërmarrje publike.

Shkelja e tretë ligjore ka të bëjë me kandidatët që kanë aplikuar në konkursin e mbyllur, e që nuk janë ftuar fare për intervistim nga Komisioni Komunal i Aksionarëve, por vetëm janë mbi votuar, dhe atë pa u bërë asnjë vlerësim i kandidatëve, e rrjedhimisht kështu duke ju pamundësuar të gjithëve për të qenë pjesë e garës për anëtar të bordit.

Këto emërime janë bërë me rekomandime të të parit të komunës, i cili me aq sa shihet para kalkulimeve të tij të ngushta nuk e respekton as ligjin.

Ndër të tjera shkelje e parregullësi, ajo më flagrantja e kryetarit të komunës (së shpejti do t’i publikojmë detajet), ka të bëjë me shkeljen e ligjit të prokurimit në ndërmarrjen publike “Tregu”, për blerjen e paisjeve për mirëmbajtjen e infrastrukturës.

Personalisht kryetari i komunës ka udhëtuar në shtetin Gjerman dy herë (me shpenzime të buxhetit komunal, ku ekzistojnë të gjitha faturat e shpenzimeve), për të blerë paisje duke bërë pazare ai vet, pa respektuar asnjë procedurë ligjore të prokurimit, dhe kjo gjithashtu konsiderohet vepër penale, e cila duhet të hetohet nga prokuroria.
E gjithë kjo na lë të nënkuptojmë që jo rastësisht ka urdhëruar të zgjedhet një bord në këtë ndërmarrje, në mënyrë që t’i vazhdojë pazaret e tij me dhe pa tender.

Për më tepër, edhe tek Ndërmarrja Publike “Stacioni i Autobusëve” janë bërë shkelje ligjore në koordinim të plotë bashkë me përfaqësuesin serb Bozhidar Periqin, duke emëruar bordin e përkohshëm dhe duke i larguar nga puna pa asnjë arsyetim zyrtarët e lartë të kësaj kompanie.

Disa javë para lirimit nga detyra, personalisht vet Bozhidar Periqi ka kërcënuar këta zyrtarë të kësaj kompanie, duke iu thënë se së shpejti do të ju shkarkoj nga pozitat që i keni. Pak ditë më vonë, bordi i përkohshëm dhe jo kompetent, me urdhër të Periçit kanë shkarkuar pa asnjë arsyetim nga pozitat udhëheqëse këta zyrtarë.

Pra, në vazhdën e koordinimeve të Lëvizjes Vetëvendosje me Radojiqiqa e Simiça, edhe në Komunën tonë, kryetari i saj nuk përton të koordinohet me Periqin, sepse duket qartë që me asnjë subjekt tjetër politik shqiptar nuk po mund të koordinohet. Pra, ka mbetur i vetëm, e janë duke e braktisur edhe rrethi i tij brenda VV-së.

Partia Demokratike e Kosovës bashkë me subjektet tjera politike, së shpejti do të ftojnë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, për të shkarkuar komisionet e ndërmarrjeve publike, dhe për të emëruar anëtarët e rinjë, në mënyrë që ligjshmëria në menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve të jetë bazë e funksionimit dhe zhvillimit normal të veprimtarisë së këtyre subjekteve afariste.

Të ngjashme