Lajme
Pasuria globale e ekonomive të familjeve bie për herë të parë që nga kriza financiare e vitit 2008
Demokracia
17:36 | 16 Gusht 2023

Share:

Asetet u tkurrën me 11.3 trilion dollarë, mes inflacionit dhe dollarit të fortë; Amerika e Veriut dhe Europa u goditën më rëndë, ndërsa në Rusi u shtuan milionerë.

Pasuria globale e familjeve, ra vitin e kaluar për herë të parë, që nga kriza financiare në 2008, pasi inflacioni dhe vlerësimi i dollarit amerikan, reduktuan rreth 11.3 trilion dollarë nga aktivet.

Pasuria totale neto private në të gjithë botën, u ul me 2.4% në një total prej 454.4 trilion dollarë, sipas raportit vjetor të pasurisë globale të Credit Suisse.

Pjesa më e madhe e rënies, u ndje në familjet e Amerikës së Veriut dhe Europës, të cilat humbën së bashku 10.9 trilion dollarë.

Jo të gjitha rajonet pësuan një goditje ndaj pasurisë. Pavarësisht ndikimit të sanksioneve, Rusia regjistroi një rritje të madhe të pasurisë gjatë vitit, duke shtuar 56 milionerë.

Sipas raportit, Amerika Latine pa një rritje të pasurisë prej 2.4 trilion dollarë, e ndihmuar nga një vlerësim mesatar i monedhës, prej 6% kundrejt dollarit amerikan. Studimi mbuloi pronat e vlerësuara të 5.4 miliardë të rriturve në mbarë botën dhe në të gjithë spektrin e pasurisë.

“Evolucioni i pasurisë, u tregua elastik gjatë epokës Covid-19 dhe u rrit me një ritëm rekord gjatë vitit 2021. Por inflacioni, rritja e normave të interesit dhe zhvlerësimi i monedhës, shkaktuan një përmbysje në vitin 2022,” tha Nannette Hechler-Fayd’herbe, kreu global i ekonomisë dhe kërkime në Credit Suisse. Credit Suisse u ble nga UBS Group AG në fillim të këtij viti.

Rënia e aseteve financiare, uli gjithashtu pabarazinë, tha Hechler-Fayd’herbe. Numri i përgjithshëm i milionerëve, ra me 3.5 milionë në rreth 59.4 milionë njerëz, ndërsa pjesa e pasurisë së 1% të njerëzve më të pasur në botë, ra në 44.5%.

Norvegjia, Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kryesuan rritjen e pasurisë për të rriturit në vitin 2022, ndërsa Suedia, Zelanda e Re, Australia dhe Kanadaja shënuan rëniet më të mëdha.

Ekspertët e studimit, parashikojnë se viti 2022, mund të jetë vetëm një goditje në parashikimin e përgjithshëm për rritjen e pasurisë.

Në nivel global, pasuria parashikohet të rritet me 629 trilion dollarë deri në vitin 2027, ose 38%. Dhe numri i milionerëve, mund të arrijë në 86 milionë deri në vitin 2027, nga rreth 60 milionë në 2022. / Bloomberg

Të ngjashme