Lajme
Pasi kërkuan edhe SHBA-të, a do të shpallë KPK-ja konkurs të ri për Kryeprokurorin e Shtetit?
Demokracia
17:33 | 04 Mars 2024

Share:

Organizatat jo-qeveritare Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres, i kanë bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës që pas mos dekretimit të kandidatit të propozuar nga KPK, Blerim Isufaj, nga Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, të shpallë konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit.

“Kështu, tani po bëhet dy (2) vite që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Me këtë rast, duhet theksuar se nevoja për të pasur Kryeprokuror të Shtetit nuk përjashton nevojën për një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, kjo mënyrë e veprimit nga KPK shpërfaqë mungesë të vullnetit të tyre për të zhvilluar një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke abstrahuar mos zhvillimin e një procesi meritor, transparent dhe me integritet të pakontestuar.

Ndërkaq dy ditë parë, edhe diplomatët e huaj në Kosovë kanë kërkuar prej KPK-së që të bëjë punën e duhur dhe të mos vonohet për të finalizuar përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Megjithëkëtë, KPK-ja e kishte dërguar për herë të dytë emrin e Isufajt për dekretim për Kryeprokuror tek presidentja Osmani, përkundër se kjo e fundit kishte refuzuar ta dekretojë me 17 tetor të vitit të kaluar duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.

Osmani gjatë një konference për media vitin e kaluar, kishte thënë se nuk e ka dekretuar Isufajn, meqë sipas saj, procesi është cilësuar “si i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare.

Madje, e para e Shtetit po ashtu pati theksuar se “ka marrë kërcënime” nga disa persona për hezitimin e saj që ta dekretojë Isufajn.

Ndërsa mosdekretimin e Isufajt, juristët e patën konsideruar si “ndërhyrje” në sistemin e drejtësisë.

Por, në fund të vitit të kaluar, KPK me 9 vota për dhe një kundër e kishte rizgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale edhe për një mandat tjetër.

Albanian Post ka provuar të flas me kryesuesin e KPK-së, Ardian Hajdarin, për ta pyetur nëse do të shpallin konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit, por ky i fundit ka qenë i papashëm në telefon.

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, kishte “sulmuar” Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Bëhet fjalë për një Kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa e shndërrojë në vrasje”, thoshte Kurti.

Për Isufajn, Kurti pati theksuar se nuk e ka të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet Kryeprokuror.

Të ngjashme