Lajme
Pasi dështuan në takimin e mbajtur, Nagavci përmes rrjeteve sociale përsëri kërcënon grevistët
Demokracia
16:35 | 11 Shtator 2022

Share:

Kërcënimet nga ana e ekzekutivit drejtuar grevistëve, nuk kanë të ndalur.

Që nga 25 gushti i këtij viti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka hyrë në grevë të përgjithshme.

Rrjedhimisht sipas këtij vendimi as mësimi nuk ka filluar dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), janë duke kërkuar nga 100 euro shtesë për mësimdhënësit deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave, shkruan Demorkacia.com.

Deri më tani gërcënimet në drejtim të BSPK-së e SBASHKU-ut nuk janë ndalur nga ana e ekzekutivit.

Pavarësisht se këtë javë përfaqësuesit e BSPK-së janë takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ata të SBASHK-ut me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ende nuk është gjetur një zgjidhje, pasi që grevistët nuk janë pajtuar, shkruan Demokracia.com.

Së fundmi është ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ajo e cila përsëri i ka kërcënuar mësimdhënësit, duke iu bërë thirrje që t’i kthehen punës, pasi që sipas saj, plan-programin e harton MASHTI dhe jo SBASHK-u.

“Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat. Paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për moszëvendësimin e orëve të humbura, vetëm sa e ndërlikojnë situatën. Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MAShTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit”, ka shkruar Nagavci në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.

Reagimi i plotë i Nagavcit, pa ndërhyrje:

Është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi. Në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore. Ndërkaq, këtë vit vonesa po ndodhë për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK dhe SBAShK.

Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.

Paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për moszëvendësimin e orëve të humbura, vetëm sa e ndërlikojnë situatën. Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MAShTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit.

Si Ministre, punonjëse e arsimit dhe qytetare e këtij vendi kërkoj nga kryesia e SBAShK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar dhe, bashkë me përfaqësuesit e degëve komunale, ta ftojë anëtarësinë e vet për t’iu kthyer punës, në mënyrë që të krijojmë atmosferë për vazhdimin e dialogut konstruktiv, që është parakusht për zgjidhjen e problemeve komplekse në sektorin e arsimit.

Arsimi, në radhë të parë, është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë, për të cilën e kemi obligim që të punojmë të gjithë bashkë dhe të sigurojmë të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.

Të ngjashme