Lajme
Pas raportimit të Demokracia.com, Vjosa Osmani i bën publike dhuratat
Demokracia
17:10 | 15 Shtator 2022

Share:

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur t’i bëjë publike dhuratat vetëm pasi ka raportuar Demokracia.com. Në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, tash janë renditur edhe dhuratat e Presidencës. Aty thuhet se Osmani ka pranuar 16 dhurata të ndryshme.

Dhuratat që ka marrë Vjosa Osmani brenda një viti, sikur të mos raportohej në media nuk do të bëheshin kurrë publike.

Zyra e Presidentes së Kosovës nuk e ka dorëzuar listën me dhurata në Agjencinë Kundër Korrupsionit fare, derisa institucionet e tjera e kishin bërë këtë.

Demokraca.com ka raportuar dy ditë më parë për këto dhurata, duke treguar se Zyra e Osmanit i ka mbajtur sekret.

Por, sot është bërë një ndërhyje në këtë listë dhe janë bërë publike edhe ato.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka thënë se në raport ka pasur lëshime teknike.

“Deklarimi i dhuratave 2022 (ky raport është përditësuar për arsye të disa lëshimeve teknike”, thuhet aty.

Kurse, në listën e re është treguar se Vjosa Osmani ka pranuar 16 dhurata të ndryshme.

Agjencia kundër Korrupsionit ka treguar se gjatë muajit mars të vitit 2022 ka pranuar njoftimin nga 158 institucione, ku 16 prej tyre kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata, ndërsa 142 kanë deklaruar se nuk kanë pranuar dhurata gjatë vitit paraprak.

“Institucionet të cilat kanë dorëzuar kopjet e katalogut të dhuratave gjatë këtij viti për vitin paraprak janë: Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Drejtësisë, Universiteti i Prizrenit, Agjencia Shtetërore e Arkivit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Fondi i Kursimeve Pensionale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Zyra Kombëtar e Auditimit, Komuna e Gjakovës, Posta e Kosovës”, thuhet në publikimin e agjencisë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, del se ka pranuar më së shumti dhurata gjatë vitit të kaluar. Në zyrën e shefit të qeverisë kanë treguar se brenda një viti janë dorëzuar 98 dhurata të ndryshme.

Kurse, në zyrën  e Presidentes së Kosovës kanë shkuar 16 dhurata të ndryshme. Për pranimin e dhuratave janë deklaruara edhe disa institucione të tjera.

Kuvendi i Kosovës, që drejtohet nga Glauk Konjufca, ka treguar se ka pranuar 9 dhurata.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë deklaruar se kanë marrë 26 dhurata.

Sipas AKK-së, në 16 institucionet që i kanë bërë publike janë dhënë 187 dhurata të ndryshme.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se bazuar në Ligjin nr. 04/L-050 si dhe Ligjin Nr. 04/L-228, Institucionet publike duhet t’i emërojnë zyrtarët përgjegjës për mbajtjen e regjistrit të dhuratave.

“Të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave që kanë dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që përcaktohet nga Agjencia dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën. Kopjet e katalogëve duhet t’i dërgojnë në AKK jo më vonë se më 31 mars të vitit në vijim”./Demokracia.com/

LEXO EDHE:

DOKUMENT| Presidentja Osmani i mban sekret dhuratat, Kurti tregon se i pranoi 98 të tilla – Demokracia

Të ngjashme