Lajme
Pas publikimit të tekstit me titull “’Ilaket’” e anëtarëve të LVV-së e kundërshtojnë grevën në shkollën e mjekësisë në Gjilan, reagon Makfire Kurteshi
Demokracia
18:44 | 28 Shtator 2022

Share:

Të martën Demokracia.com ka publikuar artikullin me titull ““Ilaket” e anëtarëve të LVV-së e kundërshtojnë grevën në shkollën e mjekësisë në Gjilan”, ku sqarohet në detaje se Makfire Kurteshi, kunata e Sami Kurteshit të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe Fatmir Syla, familjar i zëvendësministrit të Lëvizjes Vetëvendosje, Shemsi Sylës, kanë qenë kundër vazhdimit të grevës në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”.

Demokracia.com qëndron prapa secilës të dhënë që është publikuar në këtë artikull.

Pas këtij shkrimi ka reaguar Makfire Kurteshi, kunata e Sami Kurteshit.

Për korrektësi, Demokracia.com ua përcjell reagimin e plotë të saj.

Reagimi i plotë i Makfire Kurteshit, pa ndërhyrje:

Përshëndetje

Në artikullin e botuar dje në portalin tuaj, se gjoja unë si përkrahëse e LVV e kam kundërshtuar grevën, kjo nuk qëndron. Unë jam mësimdhënëse në SHMM “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan dhe jam shumë rehat me punën që bëj, prandaj, nuk kam nevojë të vrapoj pas asnjë partie politike. Të gjithë ata që më njohin, e dinë që unë nuk kam asnjë preferencë politike dhe nuk jam anëtare e asnjë partie dhe nuk ndikohem nga askush, kushdo qoftë ai ose ajo. Por, as kolegët tjerë, që kanë vendosur ta ndërpresin grevën, nuk kanë qenë të ndikuar nga askush.

E kam përkrahur grevën për tre javë, por kur kam parë që mbase janë shterur mundësitë për të arritur diçka, atëherë kam vendosur që ta mbaj mësimin. Në mbledhjen e Këshillit të Arsimtarëve dje, më 27 shtator, 8 mësimdhënës jemi deklaruar se duam ta mbajmë mësimin pa trysninë e askujt, ndërkohë që ne kemi thënë se i përkrahim kërkesat e sindikatës, por formën se si po mundohet ta arrijë qëllimin, jo. Ajo (sindikata) duhet ta  gjejë një formë tjetër, jo me ndalimin e mësimit. Tre prej këtyre mësimdhënësve kemi mbajtur mësim dje, kryesisht me klasat e 10-ta, dhe ata kanë vazhduar mësimin edhe sot. Prandaj, këto shpifje e të pavërteta për të na ofenduar dhe për t’i dhënë kahje politike mosvazhdimit të grevës, janë të paqëndrueshme.

LEXO EDHE: 

“Ilaket” e anëtarëve të LVV-së e kundërshtojnë grevën në shkollën e mjekësisë në Gjilan

Të ngjashme