Lajme
Pas një muaji pauzë, nesër vazhdon në Hagë gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së
Demokracia
17:44 | 14 Janar 2024

Share:

Kur filloi dëshminë e tij dëshmitari i 39-të në Hagë, procesi u ndërpre. Fillimisht, me kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit, pas vdekjes së avokatit Andrew Strong, më pas pushimet dimërore të Dhomave të Specializuara të Hagës. Pra, për më shumë se 1 muaj nuk u mbajt asnjë seancë.

Dëshmitari që mbeti në gjysmë me përgjigjet e tij është Dejan Jevtiq. Ky i fundit pretendon se është ndaluar nga disa pjesëtarë të UÇK-së në zonën e Suharekës dhe më pas ishte mbajtur në një qendër në Budakovë, shkruan Nacionale.

Nga pyetjet e avokatit të presidentit Thaçi, rezultoi se dëshmitari i kishte quajtur ushtarët e UÇK-së si “terroristë”.

“Ju patë këta anëtarë të UÇK-së dhe i përshkruani si terroristë?”, e pyeti Kehoe.

“Jo tamam terroristë, varet çka është për ju terrorizmi”, ia ktheu Jevtiq.

“Mbase e kam thënë pa dashje, jo se doja t’i ofendoja. Mbase e kam thënë pa dashje fjalën terroristë”, u përgjigj sërish dëshmitari serb.

Kehoe ia ktheu sërish. Ai ia ofroi dosjet e dëshmive të tij dhënë Prokurorisë së Specializuar. Aty, ai i kishte quajtur “terroristë” ushtarët e UÇK-së për disa herë me radhë.

“Në dëshminë tënde thua ‘ne vazhduam para se të hynim në Mevlan dhe aty pamë një grup terroristësh që patën uniforma të zeza. Aty ishin nja 12 a 13 terroristë’. Pra, zotëri në mënyrë të vazhdueshme, UÇK-në e keni përshkruar si terroriste?”, pyeti Kehoe.

“Mbase mund ta kem thënë, por pa dashje. Nuk kam dashur të ofendojë askënd”, u përgjigj sërish dëshmitari Jevtiq.

E gjatë kësaj jave, Prokuroria e Specializuar ka bërë të ditur se dëshmitarët do të jenë me masa mbrojtëse dhe seancat do të zhvillohen kryesisht të mbyllura.

Çfarë ndodhi deri më tash?

Në Dhomat e Specializuara të Hagës, më në fund, në prillin e vitit 2023 startoi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Pas më shumë se 2 vjet e gjysmë në paraburgim, pa gjykim, procesi filloi në qytetin e Hagës.

Deri në fundin e vitit, në proces janë dëgjuar 38 dëshmitarë. Në total, Prokuroria e Specializuar kishte parashikuar dëgjimin e rreth 300 dëshmitarëve. Megjithatë, kjo pritet të vendoset sërish nga trupi gjykues.

Si afat për mbylljen e rastit të saj, Prokuroria e Hagës e ka vlerësuar prillin e vitit 2025.

Nisja e gjykimit në Hagë u përcoll me një marsh masiv që ndodhi në Prishtinë e me një tjetër marsh në Hagë. Megjithatë, larg protestave, koha i mbeti betejës në gjykatë.

Gjithçka nisi me dhënien e fjalës hyrëse në prill, ku prokuroria e mbrojtja paraqitën dëshmitë e para fillestare të tyre.

Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi në fjalën hyrëse të tyre u deklaruan të pafajshëm. Kadri Veseli nuk kishte pranuar të mbajë ndonjë fjalim më të gjatë, por edhe ai është deklaruar i pafajshëm.

“Si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim, lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovës. Pa atë rezistencë gjithëpopullore sot Kosova s’do të ekzistonte fare. Qytetarët e Kosovës s’donin luftë, ata ishin të përcaktuar dhe kishin vullnetin për paqe. Lufta iu imponua. Ata bënë atë që do ta bënte çdo popull liridashës, për të mbrojtur familjet e tyre, fëmijët e tyre, vendin e tyre. Pra ne, Kosova, ishim në anën e drejtë të historisë”, tha Thaçi.

“Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallëherë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia, gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris, unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por pavarësisht kësaj, unë sot qëndroj përballë jush, me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë sime”, tha Rexhep Selimi.

“Kam qarë kur pashë në një depo materialesh ndërtimore të gjithë ata të vrarë të familjesh Jashari. Adem Demaçi më tha ‘Jakup nuk ka fitore’ pa luftë dhe sakrifica. Unë e dija se ky ishte ‘çmimi i lirisë’. Unë po qaja për fëmijët, për pasardhësit e kombit tim, për ata që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë së tyre”, tha Jakup Krasniqi.

Deri më tash në Hagë ka pasur dëshmitarë shqiptarë të cilët janë përgjigjur para trupit gjykues. Pjesa më e madhe e dëshmive kanë qenë të mbyllura për publikun, çka ka shkaktuar reagime në Kosovë lidhur me transparencën.

Ka pasur ish-eprorë të UÇK-së të cilët kanë dëshmuar në Hagë, siç është rasti me Rrustem Mustafën apo Sadik Haitjahën.

Ka pasur edhe dëshmitarë serbë, të cilët pretendonin se janë ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ka pasur edhe ekspertë ndërkombëtarë, siç është rasti me hulumtuesin e Human Rights Watch, Fred Abrahams apo zyrtaren e OSBE-së, Sandra Mitchell. Secili prej të dyve në fakt, pranoi disa gabime në raportet që kanë hartuar.

Abrahams pranoi se është mbështetur në disa dëshmi të qeverisë e mediave të Serbisë, kurse Mitchell e pranoi se e kishte akuzuar UÇK-në për rastin Panda në Pejë.

Edhe këtë vit, krerët e UÇK-së e patën të pamundur lirimin nga paraburgimi, pasi të gjitha kërkesat iu refuzuan.

Madje, për një kohë atyre iu bllokuan edhe vizitat e telefonatat. Kjo me arsyetimin se Thaçi, Veseli e Selimi kanë treguar detaje për vizitorë. Pas një pritje 10-ditore, trupi gjykues mori vendim që të ketë disa kushte strikte për vizita, megjithatë ato u lejuan.

Si asnjëherë më parë, në vitin 2023, pati me dhjetëra, mos qindra, aksione e bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Nuk u kursyen as shtëpitë e familjarët e heronjve si Fahri Fazliu, Zahir Pajaziti e të tjerë.

U bastisën edhe pothuajse të gjithë ish-këshilltarët e presidentit Hashim Thaçi. Atyre të gjithëve iu morën edhe telefonat. Kjo me akuzat për pengim të drejtësisë.

Pikërisht nën këto dyshime pati edhe arrestime: u arrestuan Isni Kilaj, Haxhi Shala, Ismet Bahtijari e Sabit Januzi. Të gjithë u deklaruan të pafajshëm.

Përderisa katër u arrestuan me akuzat për pengim të drejtësisë, dy të tjerë u liruan gjatë vitit 2023. Fjala është për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, të cilët u liruan me kusht nga Gjykata Speciale e Hagës.

Gjatë qëndrimit në Hagë, ekipi i Nacionales intervistoi avokatin e Thaçit, Gregory Kehoen. I njëjti tha se mund të mos ketë nevojë të bëjnë mbrojtjen e tij, pasi Prokuroria nuk po paraqet asnjë provë. Ai tha se nëse veç vendosin të paraqesin prova, kanë emra të fuqishëm ndërkombëtarë që do të dëshmojnë në favor të Thaçit.

Po në Hagë, gjatë këtij viti u mor vendimi i Gjykatës së Apelit ndaj Salih Mustafës. Atij iu hoqën 4 vjet nga dënimi prej 26 vjetësh sa ishte fillimisht. Përkundër se nuk u gjet asnjë shkelje sipas panelit të apelit, vendimi i shkallës së parë ishte tejet i lartë dhe trupi gjykues kishte tejkaluar kompetencat.

Mustafa tash sipas ligjeve të Speciales pritet të dërgohet në një shtet tjetër për ta vuajtur dënimin e shqiptuar.

Në Speciale gjykimi po vazhdon edhe ndaj Pjetër Shalës, ku së shpejti mbrojtja pritet të përfundojë pas marsit me paraqitjen e rastit të saj.

Të ngjashme