Lajme
Pas 6 orësh, Sveçla mezi e thotë një fjalë për protestën e Policisë, Kurti hesht
Demokracia
18:19 | 01 Nëntor 2023

Share:

Qeveria e Albin Kurtit, e cila nuk shquhet për ndonjë progres, por vetëm për përkeqësim të jetesës së qytetarëve të Kosovës, këto ditë po përballet me pakënaqësi të dy shtresave shumë të rëndësishme, minatorëve dhe pjesëtarëve të njësive elitare të Policisë së Kosovës. 

Për herë të parë që prej themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët më të specializuar të saj u detyruan që të veshur me uniformën e shtetit, me të cilën shpesh dijnë të na bëjnë krenarë me punën e tyre, të dalin dhe të protestojnë, shkruan Demokracia.com.

Ata sot nuk ua ofruan pushtetarëve kënaqësinë që të dalin dhe të pozojnë e të krenohen me statuse klishe.

Policët që neutralizuan sulmin terrorrist të 24 shtatorit dhe morën pjesë në aksionet më të rëndësishme e më të rrezikshme në mbrojtje të sovranitetit të vendit, u detyruan t’i lënë anash për pak kohë detyrat e tyre, të lënë armët dhe të dalin në protestë për ta mbrojtur dinjitetin e tyre personal. Ata, ndonëse të pakënaqur, asnjëherë nuk hezituan të përgjigjen kur i thirri detyra.

Por, sot e patën një ditë ndryshe. Edhe këtë mëngjes ata u lajmëruan në vendin e punës. Megjithatë, rreth orës 10:30, pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës, të njohur si FIT dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori. Një përfaqësues i këtyre njësive elite policore tha se kërkesat e tyre janë kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Ai shtoi se shpreson që përfaqësuesit e këtyre njësive të takohen shpejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe që Qeveria të marrë për bazë kërkesat e tyre.

Këto dy njësi, po ashtu, u shprehën të pakënaqura që nuk janë përfshirë në shtesa të tjera.

“Fillimisht, arsyet e mospërmbushjes së kërkesave tona kanë qenë mungesa e Ligjit të Pagave. Mirëpo, edhe nëntë muaj pas miratimit të këtij ligji, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë që e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”, tha ai.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminimin, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

6 orë pas kësaj proteste ka reaguar ministri Xhelal Svecla që shpeshherë edhe gjumin e bënë në kampin e tyre.

Sveçla ka thënë se Qeveria ka pasur synim përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurim të pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe kanë bërë përpjekje për trajtim dinjitoz e të drejtë, duke pretenduar se kompensimi për angazhimet shtesë s’është zbatuar fare në të kaluarën.

Ai ka thënë se tani angazhimi shtesë është kompensuar pa vonesa, derisa potencon se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të policëve që protestuan sot para Qeverisë janë mbi 2 mijë e 200 euro.

“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka shkruar Sveçla.

Asnjë fjalë krenarie, as premtim për ta, nuk dha as shefi i Sveçlës, Albin Kurti.

Minatorët e harruar

Nesër, po ashtu, bëhen 10 ditë që një kategori tjetër, që punon në kushte edhe me të rënda kanë hyrë në grevë urie. Ata që nxjerrin thesaret e nëntokës së Kosovës, po detyrohen që të pa ngrënë, të kërkojnë jetë të dinjitetshme nga kryeministri Kurti dhe menaxhmenti i emëruar nga ai, që ato pak orë që kalojnë mbi tokë t’i kenë me dinjitet, shkruan Demokracia.com.

Por, kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër. Përveç që askush nuk u mor me ta për ndonjë hap pozitiv, ata u përballën edhe me ndëshkime nga menaxhmenti i emëruar nga Kurti.

Të pakënaqur me kushtet e punës, rreth 200 punëtorë të Trepçës janë futur në grevë që nga 24 tetori. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë, sigurimin shëndetësor dhe shkarkimin e menaxhmentit të Trepçës, të cilin e fajësojnë për kushtet jo të mira.

Krejt çka ka ndërmarrë shteti deri më tani për realizmin e kërkesave të tyre është suspendimi nga puna i organizatorëve të grevës.

LEXO EDHE: 

Sa para në vit nxjerrin minatorët nga Trepça?

Kurti, i cili nuk e ka thënë asnjë fjalë për grevën e minatorëve, dikur thoshte se “minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”.

“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrjeje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti në 34-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës./Demokracia.com/

Sveçla mashtron për paknaqësitë e NJSI-së: Ata që protestuan sot marrin paga mujore mbi 2 mijë euro – Demokracia

Të ngjashme