Lajme
Sa para në vit nxjerrin minatorët nga Trepça?
Demokracia
15:41 | 01 Nëntor 2023

Share:

Të pakënaqur me kushtet e punës, rreth 200 punëtorë të Trepçës janë futur në grevë që nga 24 tetori. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë, sigurimin shëndetësor dhe shkarkimin e menaxhmentit të Trepçës, të cilin e fajësojnë për kushtet jo të mira.

Krejt çka ka ndërmarrë shteti deri më tani për realizmin e kërkesave të tyre është suspendimi nga puna i organizatorëve të grevës, shkruan Demokracia.com.

Trepça është një minierë e lashtë plumbi, zinku, argjendi, kristalesh dhe mineralesh të ndryshme në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicës. Trepça në kohën e Jugosllavisë kishte shumë famë dhe ishte njëri ndër motorët e ekonomisë jugosllave. Sot, kushtet e punës së minatorëve aty janë më të dobëtat në Evropë, ndërsa mineralët që nxirren nga gjigandi ekonomik janë shumë të pakta.

Sa po prodhon Trepça?

Të dy Trepçat, ajo në veri të Kosovës që menaxhohet nga komuniteti serb dhe kjo në jug, prodhojnë vetëm koncentratet e plumbit dhe zinkut.

“Trepça” sha, këtë vit, sikur edhe vitin e kaluar, ka shitur këto dy lloj të mineraleve.

Shitja e koncentrateve të plumbit është bërë më një kontratë të veçantë para pak muajve tek kompania angleze “Mineco International Limited”, në vlerë totale të ofertës 14,430,078.93 dollarë.

Bëhet fjalë për (plumbi) koncentrat, sasia e përafërt 6,657.51 ton me lagështi 8%, 532.61 t) = 6,124.90 tonë sasia e përafërt e terur.

Pb (plumbi) koncentrat, sasia e përafërt 1,250.00 ton me lagështi 8% (100.00 t) = 1,150.00, sasia e përafërt e terur. Pra, bëhet fjalë për minierat e Artanës dhe Stantërgut, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, para pak javëve, me një kontratë të veçantë është shitur edhe sasia e zinkut tek kompania e njëjtë angleze, në vlerë totale të ofertës 7,791,363.10 dollarë.

Në vitin e kaluar, vlera e shitjes së zinkut dhe plumbit tek kompania e njëjtë ka qenë në çmim më të madh, fiks 23,053,908.56.

Ndërsa, Trepça – Ndërrmarrje në Administrim të AKP, këtë vit ka shitur vetëm koncentrat të plumbit.

Ai i është shitur para pak javëve kompanisë “Trafigura Pte LTD”, me një çmim prej 13,300,771.20 eurosh.

Bëhet fjalë për 7.360,00 ton koncentrat të thatë. Këto koncentrate të plumbit prodhohen në Trepçë, nga miniera Crnac dhe Belo Brdo, të përpunuara në impiantin e flotacioneve në Leposaviq.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Me rreth 20 000 punëtorë është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Sot ajo i ka rreth 700 minatorë.

Deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë ton xehe në vit.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet ’90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë kishte vendosur masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Trepçën e kanë përcjellë probleme edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, që nga viti 1999. /Demokracia.com/

Të ngjashme