OpEd
Partitë politike nuk po flasin për dialogun, por nuk kanë shpëtim nga ai
Demokracia
15:44 | 06 Shkurt 2021

Share:

Edhe pse në fushatë elektorale, një nga temat kryesore që e pret çdo qeveri të ardhshme, ajo e dialogut të Kosovës me Serbinë, nuk po përmendet fare. Por, një zhvillim jashtë Kosovës e ka kthyer këtë temë në sytë e kosovarëve, pa sjellë ndonjë përgjigje vetëm duke hapur pyetjet që kanë ekzistuar gjithmonë.

Shkruan: Ardian Arifaj

Fjalët për mbështetjen e Francës për një zgjidhje kreative mes Kosovës e Serbisë, të thëna nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit të tij me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kanë zgjuar spekulimet në Kosovë se çfarë mund të jetë kjo zgjidhje kreative.

Në Kosovë, dialogu gjithmonë është shikuar me mosbesim, pa marrë parasysh se sa, qoftë institucionet qeverisëse që kanë marrë pjesë në vet procesion e dialogut, qoftë shoqëria civile, kanë njoftuar për dialogun. Prandaj ja vlen të bëhet nga një “prerje” e procesit në këtë fazë, të shikohet se ku qëndron procesi dhe cilat janë mundësitë për të ecur përpara.

E para, Aleksandër Vuçiq në prononcimet e tij e ka thënë qartë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën në kufijtë ekzistues. Për sa kohë që në tavolinën e bisedimeve do të jetë Aleksandër Vuçiq, duhet pritur që do ta hap edhe çështjen e kufijve dhe territorit. Kur flitet për zgjidhje “kreative”, atëherë mund të fillojmë të supozojmë se për çfarë zgjidhje është duke menduar Vuçiq.

Nuk është habi që në Kosovë çdo gjë që vjen nga Presidenti i Serbisë pritet me shumë mosbesim. Jo vetëm se kosovarët – për mijëra arsye, secila më me vend se tjetra – nuk i besojnë Serbisë në përgjithësi, por edhe më të rezervuar janë me dikë që ka qenë pjesë e Qeverisë së Slobodan Milosheviqit në vitin 1999 dhe që ka udhëhequr parti radikale në Serbi.

Në anën tjetër, Aleksandër Vuçiq është lideri i parë i Serbisë që jo vetëm pranon të ulet në një tavolinë me liderët e Kosovës, por edhe pranon të bisedohet madje edhe për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në bisedimet në Vjenë, Koshtunica, Presidenti i atëhershëm i Serbisë, nuk pranonte të ishte në të njëjtën dhomë me përfaqësuesit e Kosovës; Milosheviqi as që pat udhëtuar për në Rambouillet.

E dyta, motori kryesor – së paku nominalisht – i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, pra Bashkimi Europian, sot duket më i pafuqishëm se sa kurdoherë më parë, edhe pse ka emëruar edhe një të Dërguar Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera rajonale të hapura në Ballkanin Perëndimor. Për korrektësi, BE flet për dialogun Prishtinë-Beograd e jo Kosovë-Serbi, por kjo është një temë tjetër.

Miroslav Lajçak, diplomati sllovak i emëruar në këtë post, këtë javë ka shënuar njëvjetorin në këtë detyrë, sa ishte mandati i tij fillestar. Kur do t’i përfundojë mandati, tash për tash nuk dihet; por sigurisht ky nuk është shqetësim për Përfaqësuesin Special të BE-së. Por, shihet që nuk ka nxitim për të përfunduar mandatin dhe për të shtyrë përpara arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

E treta – fuqia e vërtetë e Përfaqësuesit Special Lajçak, por edhe e tërë BE-së, në fakt buron nga fuqia dhe mbështetja e vendeve anëtare të BE-së.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, është parë si shtylla kryesore që do të shtyjë përpara dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kancelarja dhe zyra e saj kanë dëshiruar të ndihmojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes. Por sot kur Kancelarja Merkel shihet si politikane në largim, fuqia e saj është më e zbehur dhe ka më pak mundësi të shtyjë përpara ndonjë zgjidhje.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pa marrë parasysh se si është shprehur në takimin me Presidentin e Serbisë, do të jetë i konsumuar me përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme që në Francë mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Një zgjidhje e gatshme për paqen mes Kosovës e Serbisë do të ishte e mirëseardhur për Macron, por nuk mund të pritet që ai, dhe Franca, të angazhohen më fuqishëm në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ka shtete të tjera të BE-së që kanë shfaqur dëshirën dhe vullnetin të ndihmojnë dialogun. E para që bjen në mend është Austria. Por asnjëra nga këto nuk do të mundet të vejë në lëvizje tërë BE-në pa dy shtetet kryesore, Gjermaninë e Francën.

E katërta – as protagonistët tjerë nuk mund të pritet të marrin menjëherë rol më aktiv.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpesh shihen si shtytësi i vërtetë i dialogut. Së paku kur është fjala për Kosovën, angazhimi dhe pajtimi i Washingtonit është kusht kryesor për të lëvizur përpara. Administrata e re në Washington me të drejt i jep Kosovës arsye për optimizëm. Fjalimi i Presidentit Biden në State Departament, këtë të enjte, është arsye për entuziazëm në State Departament, në Kosovë dhe në tërë botën. Ende është larg koha kur bota mund të funksionojë pa lidershipin amerikan.

Por, do të marrë kohë që Kosovës t’i vijë radha në listën e çështjeve me të cilat ballafaqohet sot administrata e Presidentit Biden. Nuk është kjo listë dëshirash por listë e nevojave urgjente ku duhet përqendruar vëmendja e Washingtonit.

Vlen të kujtojmë se Washingtoni gjithmonë ka thënë se do të përkrah dhe pranojë një marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët, për të cilën e thonë fjalën e vet edhe qytetarët e Kosovës, dhe nuk ka ndonjë preferencë tjetër. SHBA dëshiron të shoh Kosovën, dhe tërë rajonin, në paqe, stabilitet, prosperitet dhe zhvillim.

Ngjashëm flasin edhe protagonistë tjerë që kanë qenë dhe mbesin pengesë në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, qoftë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja; por edhe anëtaret e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si Rusia. Pra, nëse Kosova e Serbia pajtohen për një marrëveshje, edhe këta do ta pranojnë dhe respektojnë.

E pesta – këto rrethana do të ishin ideale nëse në Kosovë do të kishte pajtim për dialogun. Pajtim në mes të partive politike nëse është më mirë për Kosovën që të punohet për një marrëveshje sa më parë apo të pritet një kohë tjetër dhe të vazhdohet edhe për një kohë status-qo-ja; nuk ka pajtim se cilat janë vijat e kuqe e për çfarë mund të bisedohet. Në fakt, nuk ka pajtim as për vet dialogun, a duhet të vazhdohet a jo.

E vërtetë që vazhdimi i dialogut duhet të presë formimin e qeverisë së re. Por, të gjitha partitë duhet të fillojnë të mendojnë dhe të planifikojnë për pajtimin për dialogun dhe të përgatiten për marrëveshjen paqësore, përfundimtare, të Kosovës me Serbinë, sepse do të thirren të luajnë rol pa marrë parasysh a janë në qeveri apo në opozitë.

Dialogu nuk është çështje e një partie por prek tërë Kosovën, të tashmen dhe të ardhmen, prandaj duhet të jetë ndër temat kryesore për të cilat flitet në opinion e për të cilën partitë punojnë të arrijnë konsensus politik e shoqëror.

Të ikësh nga kjo temë apo të fshehësh nga ajo është papërgjegjësi politike e qytetare.

Të ngjashme