Lajme
Parregullsi në Komunën e Gjilanit, blihen orendi gati 100 mijë euro, porositen 597 tavolina për QKMF e gjenden vetëm 285
Demokracia
16:09 | 26 Janar 2023

Share:

Komuna e Gjilanit ka paguar për 597 tavolina për nevoja të Qendrës Klinike Mjekësore Familjare “Nagip Rexhepi”, mirëpo përgjatë procedurës së regjistrimit kanë figuruar vetëm 285 copë.

Kështu ka bërë të ditur një burim i mirëinformuar për Demokracia.com, i cili thotë se ka dyshime në Komunën e Gjilanit për porositje të orendive pa procedura tenderimi dhe, siç i përshkruajti ai, “në bazë të preferencave partiake dhe shoqërore”.

Sipas tij, 597 tavolina i plotësojnë “nevojat e katër QKMF-ve”.

Në një nga faturat e siguruara nga Demokracia.com të datës 24 maj 2022, ku janë porositur orendi për nevoja të komunës në vlerë totale prej 12,800 eurosh, shihet se personi përgjegjës për pranimin e faturës nuk ka pranuar ta nënshkruajë atë, në formë të shprehjes së pakënaqësisë.

As dy muaj më vonë, Komuna e Gjilanit sërish porosit orendi në vlerë prej 14,783 eurosh, ku në mesin e tavolinave u specifikua që njëra nga to të jetë për katër persona. Specifikim tjetër interesant është edhe që tavolina të jetë e punuar nga melamina.

Hiç më vonë se një muaj, në komunë sërish ka kërkesa për tavolina, vlera totale e të cilave shkon në 41,235 euro.

Më 15 nëntor të 2022-ës, Komuna e Gjilanit sërish furnizohet me orendi (kryesisht tavolina), në një shumë totale prej 26,035 eurove.

Për plotësim të nevojave të orendive në Komunën e Gjilanit vetëm përgjatë vitit të kaluar furnizimi u kushtoi 94,853 euro. Kjo komunë në vazhdimësi kontrakton nga operatori i njëjtë ekonomik “Mobelland”.

I njëjti burim ka bërë të ditur për Demokracia.com se për shkak të “zbulimit të skandaleve” për çështjen e mungesës së tavolinave janë shkarkuar shefi i QKMF-së, Hasidin Bunjaku dhe Zejdush Tahiri.

Sipas tij, për shkak të mos-nënshtrimit ndaj pushtetit të ri në Komunën e Gjilanit, Sabri Ibrahimi ka kaluar nga ndihmës në Administratë tek zyrtar në Financa dhe Safete Salihu nga ndihmëse në Zyrën Juridike në Zyrtare për Personel të QKMF-së.

Demokracia.com ka kërkuar informacione nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik për shpalljen e tenderit për 597 tavolina nga ana e Komunës së Gjilanit për nevojat e QKMF-së, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje. Demokracia.com ka bërë një navigim në platformën e KRPP-së dhe atë të Komunës së Gjilanit, mirëpo nuk ka arritur ta gjejë një tender të këtillë. /Demokracia.com/

Të ngjashme