Lajme
Paligjshmëri dhe paturpësi | Noterët e rinj, militantë të Vetëvendosjes
Demokracia
20:35 | 08 Shkurt 2024

Share:

Ministria e Drejtësisë ka publikuar listën e kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim për noter dhe një pjesë e madhe e tyre janë persona të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje e militantë të partisë në pushtet.

Milot Podvorica nga Prishtina, Pajtim Kaçka nga Prizreni, Adelina Ajeti nga Gjilani, Flakron Rexhepi nga Gjilani, Agon Hyseni nga Gjilani dhe Betim Behluli nga Rahoveci, sipas listës së publikuar nga MD-ja, janë persona që hapur përkrahin Vetëvendosjen dhe llogaritë e tyre në rrjete sociale janë të mbushura me fotografi me persona të pushtetit, por ka edhe nga ata që janë familjarë të noterëve aktual.

I njëjti konkurs ishte anuluar pikërisht nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020, nën arsyetimin se lista është e mbushur me “militantë partiakë”, por cfarë ka ndodhur është se Haxhiu kishte në mendje t’i zëvendësonte ata me të afërt të Vetëvendosjes.

Milot Podvorica

“Nuk mund të shtyjë përpara një proces nga i cili shumica dërmuese e kandidatëve të cilët kanë kaluar provimin e noterisë, janë militantë partie, anëtarë apo miq të anëtarëve të Komisionit të Provimit të Noterisë apo edhe familjarë të tyre”, pati theksuar gjatë një konference për media Haxhiu atëherë.

Prandaj, Haxhiu pati vendosur të hapë konkurs të ri për noterë, përkundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila iu dha të drejtë kandidatëve të fundit të noterisë, gjatë konkursit kur në postin e ish-ministrit të Drejtësisë ishte Abelard Tahiri.

Për ish-ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin, tashmë është vërtetuar se pjesa ma e madhe e atyre që e kanë kaluar provimin me shkrim për noterë janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Së fundi, ka organizuar procesin e ri të provimit të noterisë shihet qartazi se është i politizuar dhe jo profesional, ku militantë, aktivistë dhe njerëz të lidhur me partinë në pushtet kanë rezultuar të dalin si kandidatët më të suksesshëm”, tha Tahiri për Albanian Post.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, thekson se procesi aktual i provimit të noterisë është duke “e cenuar edhe interesin juridik dhe legjitim” të kandidatëve të suksesshëm nga procesi paraprak e të cilëve edhe gjykatat kompetente ju kanë dhënë të drejtë.

“I njëjti fatkeqësisht do të prodhoj edhe një numër të madh të ankesave dhe padive në instancat gjyqësore si rezultat i shkeljes së të drejtave të tyre të fituara”, potencoi ai.

Tahiri ka shtuar se ministrja Haxhiu fatkeqësisht “është shembulli më i keq” për secilin qytetar, sepse duke qenë në këtë pozitë nuk ka zbatuar vendimet gjyqësore të cilat kanë vulosur ligjshmërinë e provimit paraprak të noterisë.

“Si ish-ministër i Drejtësisë, duke rikujtuar peshën e madhe të përgjegjësisë institucionale, por edhe si deputet në Kuvendin e Kosovës, jam tejet i shqetësuar për degradimin e këtij procesi të cilin po e karakterizojnë parregullsi të shumta dhe manipulime të cilat përtej çdo dyshimi janë duke e minuar procesin për të cilin edhe do të kërkojmë që të hetohet zyrtarisht nga prokuroria kompetente”.

Ndryshe, sipas Ligjit për Noterinë, për çdo 10 mijë banorë duhet të përcaktohet një noter.

Bazuar në këtë, në Kosovën me 1.8 milionë banorë, këtë profesion do të duhej ta ushtronin 180 noterë, por sipas Ministrisë aktualisht janë vetëm 50 sish.

 

Të ngjashme