Lajme
Pa flamur shtetëror, Gërvalla dhe “flamurtari” i skandaleve diplomatike priten nga presidenti kroat
Demokracia
20:03 | 09 Mars 2023

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në takimin që ka pasur me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq në Zagreb është pritur pa simbole dhe pa flamurin shtetëror të Kosovës. 

Në takimet ndërmjet dy shteteve që e njohin njëri-tjetrin pjesë e protokollit pashmangshëm është paraqitja e simboleve shtetërore.

Kjo shihet në fotografitë që janë postuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Facebook, ku Gërvalla u prit vetëm me flamur kroat dhe atë evropian.

Po ashtu edhe në njoftimin që e ka lëshuar Presidenca kroate, askund nuk shihen flamuri apo simbolet e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kroaci, pati një takim me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, me të cilin bisedoi rreth marrëdhënieve të ngushta mes Kroacisë dhe Kosovës, situatës gjeopolitike në rajon dhe në Evropë, pozicionimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dialogun në Bruksel dhe sfidave në rajon. Në këtë takim, ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në nivel politik, ekonomik dhe kulturor mes Kroacisë dhe Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Pjesë e takimit të Gërvallës me Milanoviqin ka qenë edhe ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i përfolur për një sërë skandalesh në vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën. Ai akuzohet për tërheqjen e shumave të mëdha të parave nga bankat e Kosovës dhe të Malit të Zi.

Po ashtu Berishaj ka qenë pjesë e kompanisë elektrogjenetike GEN-I, filiali në Beograd. Aty thuhet se ai mori 600 mijë euro.

Kujtojmë së vetëm disa javë më parë, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kishte befasuar me deklaratën e tij se Kosova ishte aneksuar nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë në takimin me Gërvallën, presidenti kroat kërkoi nga pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme