Lajme
Osmani vazhdon ta mbajë peng pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndonëse s’ka më asnjë ankesë
Demokracia
20:20 | 07 Shkurt 2023

Share:

Presidentja Vjosa Osmani ka më shumë se dhjetë muaj që e ka lënë vendin pa Kryeprokuror të Shtetit. 

Osmani nuk e ka dekretuar ende Blerim Isufajn, edhe pse ka përfunduar çdo ankesë, shkruan Demokracia.com.

Edhe kundërkandidati i tij, Shqipdon Fazliu, mësohet se tashmë ka hequr dorë nga ankesa e sërishme në Gjykatën Kushtetuese.

Shqipdon Fazliu nuk do të ankohet sërish në Gjykatën Kushtetuese për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokuroit të ri të shtetit.

E vendimi i Fazliut, i ka hapur rrugë dekretimit të Isufajt.

Edhe pse Demokracia.com ka pyetur Zyrën e Presidentit lidhur me dekretimin e Isufajt, ata nuk kanë kthyer përgjigje, ashtu siç nuk kthejnë asnjëherë.

Vjosa Osmani vazhdon ta zvarris dekretimin e kryeprokurorit të ri, Blerim Isufaj

Ankesat e ish-kandidatit për kryeprokuror, që të gjitha u shpallen të pa bazuara, u shndërruan në vegël të pushtetit për mosdekretimin e Isufajt si kryeprokuror i ri, pasi natyrisht ai nuk ishte kandidati i tyre i preferuar për këtë institucion.

Me refuzimin e ankesës si të pabazuar edhe nga ana e Gjykatës Supreme, dhjetorin e vitit 2022, del se Shqipdon Fazliu do t’i japë fund betejës së tij kundër përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri të shtetit, që u shndërrua në vegël e pushtetit politik në Kosovë.

Supremja hedh poshtë ankesën për Kryeprokurorin e Shtetit

Vendimi për të mos u ankuar më në Kushtetuese, vjen pasi Fazliut pikërisht kjo gjykatë ia kishte rrëzuar pretendimet për kontestimin e përzgjedhjes së Blerim Isafajt, shef të ri të Kryeprokurorisë së Shtetit.

Pas Kushtetueses që e orientoi Fazliun të ankohet në gjykatat tjera, të tri shkallët tjera të gjyqit i kanë hedhur si të pabazuara pretendimet e tij nga përzgjedhja e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Zyra e Osmanit kishte shfaqur dyshime se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit përcjellës dhe konsultimeve me palët e përfshira në monitorimin e procesit ishin ngritur vërejtje për shkelje procedurale dhe parimore, të cilat pretendonin se mund të kenë ndikuar në procesin përzgjedhës, si dhe për mungesë të dokumenteve të rëndësishme, për të cilat Presidenca kishte kërkuar sqarime.

Më 13 maj 2022, zyra e Osmanit ishte njoftuar me një shkresë zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se “njëri nga kandidatët në këtë proces [përzgjedhës], ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Ankesë në Gjykatën Kushtetuese kishin parashtruar Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti. Por, në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese i kishte shpallur të papranueshme mbi baza procedurale kërkesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamitit, të cilët e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në procesin për Kryeprokuror të Shtetit i pari kishte dalë Blerim Isufaj, ndërsa Shqipdon Fazliu ishte renditur i dyti, kurse Armend Hamiti i katërti.

“Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike, siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e Kushtetueses, përcjell Demokracia.com.

Të dy kandidatët në kërkesën e tyre drejtuar Kushtetueses kishin pretenduar se vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 13 qershor 2022 kishte dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndërsa, ish-kryeprokurorit Aleksandër Lumezi i kishte skaduar mandati më 21 prill 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /Demokracia.com/

Të ngjashme