Lajme
Osmani s’i jep kahje zgjedhjes së Kryeprokurorit, tani i kërkohet ta marrë një vendim
Demokracia
17:03 | 08 Mars 2023

Share:

Shteti ka mbetur pa Kryeprokuror tash e gati një vit. Presidentja Vjosa Osmani e ka lënë të ngecur procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, pa marrë ende asnjë vendim. Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se tash është koha që shefja e shtetit t’i japë kahje këtij procesi.

Po bëhen gati një vit prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit dhe propozimin ia dërgoi për dekretim presidentes Vjosa Osmani.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha Gazetës Express se Osmani do të duhej ta merrte një vendim tani.

“Tani që ka kaluar një kohë tashmë, ne besojmë që Presidentja do të duhej ta merrte një vendim sa më shpejt që do të ishte e mundshme në rrethanat si këto”, tha ai.

Ai kujtoi se procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit u kontestua nga ndërkombëtarët dhe se kjo është përmendur edhe në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën.

“Procesi për kryeprokuror të shtetit, në bazë të monitorimit që e kanë bërë akterë të shoqërisë civile dhe në bazë të Raportit të Progresit, qoftë asaj çfarë kanë deklaruar ambasadat e huaja, do të thotë që procesi fatkeqësisht nuk është zhvilluar në mënyrë të drejtë, por edhe në mënyrë të paanshme”, thekson ai.

Miftaraj thotë se “Këshilli Prokurorial nuk i ka zbatuar drejt, qoftë ligjin, qoftë rregullat e tij të brendshme”.

Osmani, sipas tij, e ka në duar që “në një afat sa më të arsyeshëm kohor ta marrë një vendim dhe në njëfarë mënyre ta kthente ligjshmërinë në Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

Miftaraj thotë se normalisht, KPK do të duhej të tërhiqej nga propozimi për zgjedhjen e Isufajt në krye të institucionit më të lartë të ndjekjes në vend.

“Në një shtet normal, në një Këshill Prokurorial i cili do të kishte integritet, do të kishte kredibilitet, ata në njëfarë mënyre do të duhej të tërhiqeshin nga propozimi për kryeprokuror. Por në mungesë të një veprimi të tillë, atëherë është në dorën e Presidentes që në njëfarë mënyre t’i japë kahje këtij procesi në një afat sa më të arsyeshëm kohor”, thotë ai.

“Po flasim për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit për shtatë vitet e ardhshme”, thekson ai, duke shtuar se “në një pozitë të tillë në asnjë rrethanë nuk do të duhej të caktohej një person i cili vjen nga një proces i kontestuar”.

“Do të thotë nuk po flasim për integritetin dhe kredibilitetin e kandidatit, por po flasim për kredibilitetin dhe integritetin e procesit”, thotë Miftaraj.

Kontestimi i procesit

Një vendim i Gjykatës Supreme më 29 dhjetor të vitit të kaluar ishte lëvizja e fundit në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Supremja e ka refuzuar si të pabazuar një kërkesë të Shqipdon Fazliut, njërit prej kandidatëve për Kryeprokuror,kundër Gjykatës së Apelit.

Fazliu kishte kërkuar rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor rreth ankesës së tij për ta kontestuar zgjedhjen e Isufajt si kundërkushtetuese.

Në vendimin e Supremes u tha se aktvendimet e kontestuara të gjykatave të instancave më të ulëta nuk ishin të përfshira në shkelje të dispozitave të procedurës dhe as në shkelje të së drejtës materiale ashtu siç pretendoi Fazliu.

“Gjykatat e instancave më të ulëta në aktvendimet e kontestuara kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe të bazuara ligjërisht në dispozitat e lartcekura të LKA dhe LPK , lidhur me vendosjen si në dispozitiv të tyre, kur gjejnë se padia e paditësit është pasafatshme dhe si e tillë hedhet poshtë”, u tha në arsyetimin e vendimit të kësaj gjykate.

Paraprakisht, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor 2022 i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kushtetuesja më 4 korrik 2022 i kishte shpallur të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror.

Para se të merrej vendimi për ankesat e dy kandidatëve që ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për kryeprokuror, nga Presidenca kishin thënë se ishin duke e pritur këtë.

Ndërkombëtarët ishin zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokurori

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuse, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog kishte reaguar i befasuar pas mbledhjes së KPK-së në prill të 2022.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, kishte thënë Szunyog përmes një reagimi në Twitter.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, kishte shprehur po ashtu zhgënjimin e tij për vendimin e KPK-së për ta përzgjedhur Blerim Isufajn kryeprokuror.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga e duhur për të ecur përpara. Sidomos kur OJQ-të e njohura të Kosovës, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GLPS, kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkruante Rohde.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte thënë se pritjet e SHBA-së në këtë proces kishin qenë që ai të ishte “i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, ishte shprehur Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Ambasadori Hovenier kishte thënë se prezenca e përfaqësuesve të ambasdës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces.

“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, kishte shkruar Hovenier.

Tri organizata joqeveritare: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kërkuan presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm.

“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhej në një komunikatë të përbashkët të këtyre organizatave.

Osmani pati thënë se s’e dekreton Isufajn, por nuk mori vendim

Presidentja Vjosa Osmani në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë dekretim nga ajo.

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.

Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Të ngjashme