Lajme
Osmani rrënon narracionin e Kurtit për dinarin, e prezanton si çështje “urgjente” dhe “të domosdoshme” për t’u zgjidhur
Demokracia
08:23 | 19 Mars 2024

Share:

“Unë jam e bindur që për këtë çështje, jo vetëm që do të arrihet, por është e domosdoshme të arrihet pajtim, por më e mira do të ishte të arrihej në Bruksel, sepse është nesër takimi, do të ishte e mirëseardhur që ky pajtim të arrihej në Bruksel. Nëse jo në Bruksel, është urgjente që kjo çështje të zgjidhet”.

Ky është mesazhi që dërgoi të hënën presidentja Vjosa Osmani, në prag të takimit të parë zyrtar ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, që njëkohësisht zyrtarizon edhe përfshirjen e përdorimit të Dinarit të Serbisë në dialogun e Brukselit, shkruan Demokracia.com.

Fjalët kyçe të cilat i ka përdorur presidentja Osmani gjatë adresimit të saj nga komuna e Lipjanit, si “e domosdoshme” dhe “urgjente”, janë e kundërta e narracionit të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës, që nga fillimi i zbatimit të Rregullores së BQK-së për përdorimin e valutave në Kosovë.

https://demokracia.com/dialogu-per-dinarin-serb-perfshine-te-gjithe-shtetin-osmani-me-e-mira-do-te-ishte-qe-neser-ne-bruksel-te-arrihet-pajtimi/

KURTI: NUK DËSHIROJMË TË NDËSHKOJMË ASKËND

Krejtësisht ndryshe nga presidentja Osmani, e cila ka ngritur në nivelin më të lartë rëndësinë për t’u zgjidhur çështja e Dinarit si diçka “e domosdoshme” dhe “urgjente”, e ka mbajtur qëndrimin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe vartësit e tij në Qeverinë e Kosovës.

Përkundrazi, kryeministri Kurti vazhdimisht është munduar të argumentojë se hyrja në fuqi e Rregullores së BQK-së është një zhvillim normal, që nuk është i adresuar kundër askujt.

Më 31 janar 2024, Kurti e arsyetonte Rregulloren e BQK-së si një dokument për zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Vendimet e BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe Guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë. Ai po bën punë shumë të mirë dhe ka shpjeguar qartë e saktë se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit dhe shitblerjes është euroja”, deklaronte Kurti, një ditë para hyrjes në fuqi të Rregullores së shumëpërfolur të BQK-së.

“Ne nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës dhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë. Ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re dardane të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në Republikën e Kosovës nuk është një çështje e negociueshme”, vazhdonte më tej Kurti.

Sidoqoftë, presidentja Osmani ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e saj se “për zbatimin plotë të Kushtetutës jo vetëm në letër, por edhe në praktikë, neve na duhen aleatët në krahë”.

Ky taktizim i presidentes Osmani, i shfaqur edhe më herët që mbështeste njëkohësisht edhe qëndrimin amerikan për shtyrjen e zbatimit të Rregullores së BQK-së, por duke e nxitur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të vazhdojë me këmbënguljen e tij, rezultoi me rëndimin e pozitës së partnerit të saj politik në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/presidentja-ha-me-dy-luge-mbeshtet-kerkesat-amerikane-dhe-nxite-kurtin-te-vazhdoje-amerikanet-bejne-ndarjen-e-madhe-osmani-garantuese-e-kurti-rrezikues-i-partneritetit-kosove-shba/

Të ngjashme