Lajme
Osmani për gjyqin në rastin ish-krerëve të UÇK-së: Besoj se vendimi final do të dëshmojë se ka qenë luftë e pastër dhe për liri
Demokracia
15:10 | 02 Maj 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me gjyqin në rastin e ish – krerëve të UÇK-së në Hagë, beson se vendimi final do ta dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për liri.

E para e vendit këtë deklaratë e ka dhënë pasi është pyetur nga gazetarët në lidhje me procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ajo beson se drejtësia do të triumfojë sërish siç ka triumfuar në instancat e tjera të drejtësisë.

“Ne besojmë se drejtësia sërish do të triumfojë siç ka triumfuar më parë në të gjitha instancat e tjera të drejtësisë, besojmë se vendimi final do ta dëshmojë për të disatën herën me radhë se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për t’i mbrojtur të pambrojturit civilë, të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat gjenocidale të Serbisë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatët dhe me palët e tjera që çdo hap të jetë në ndihmë të drejtësisë e jo në dëmtim të procesit gjyqësor.

“Drejtësia do të triumfojë dhe do të dëshmojë se ka qenë luftë e pastër dhe për liri. Ne po bëjmë çmos çfarë është në duart tona për t’i mbështetur ata, jemi në kontakt të vazhdueshëm me avokatët që çdo hap i yni të jetë që i ndihmon drejtësisë, jo t’i dëmtojë ata gjatë këtij procesi. Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka si shtet, që të gjithë së bashku ta dëshmojmë pastërtinë e luftës së UÇK-së, sepse ka qenë një luftë çlirimtare për liri për të çliruar vendin nga okupatori serb”, ka vijuar Osmani.

Të ngjashme