Diaspora
Osmani në Zvicër takohet me bashkatdhetarë: Nuk shihen më vetëm si burim remitencash, por edhe idesh
Demokracia
23:20 | 02 Mars 2021

Share:

Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt Zvicrës për një vizitë zyrtare me ç’rast ka takuar mërgimtarë kosovarë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, me ftesë të parlamentit zviceran, po qëndron për një vizitë në vendin mik të Kosovës.

Ajo gjatë takimit me mërgatën kosovare theksoi rëndësinë e rolit të kësaj të fundit për zhvillimin e vendit tonë.

Osmani tha se bashkëpunimi me mërgatën kosovare shumë shpejt do të konkretizohet përmes projekteve të ndryshme.

Postimi i plotë i Osmanit pa ndërhyrje:

Vizitën në Zvicër, ku po qëndroj me ftesë të Parlamentit zviceran, e fillova me një takim me mërgatën tonë, me ata që sado që tashmë në këtë vend kanë ndërtuar shtëpinë e familjet e tyre, mendjen e zemrën e mbajnë gjithmonë pranë Kosovës sonë të dashur.

Nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë nderi, privilegji e krenarie është të jesh në mesin e juristëve, mjekëve, shkencëtarëve, studiuesve, ndërmarrësve, artistëve, arkitektëve e profestionistëve të fushave nga më të ndryshme të cilët po shkëlqejnë në profesionet që kanë përzgjedhur e po japin kontribut të jashtëzakonshëm e përmbajtësor në shoqërinë zvicerane.

Kishim aq shumë për të folur, por natyrshëm, fokusin e mbajtëm te diskutimi i mënyrave të bashkëpunimit ku mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave, por si burim i ideve, kompetencës dhe profesionalizmit, e për të cilat vlera vendi ynë ka nevojë tani më shumë se kurrë.

Të lësh vendin tënd për të shkuar në një vend të huaj e të përballen me sakrifica të shumta e gjithë familja – nuk është aspak e lehtë. Por, mërgatë e dashur, ju na keni dëshmuar që sakrifica e puna e drejtë shpërblehet gjithmonë me të mirë. Dashurinë e madhe e të pakusht që ju keni për Kosovën, do ta kthejmë shumë shpejt në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret.

Ju jam mirënjohëse secilit e secilës që pata kënaqësinë t’u takoj, e ndjesë të gjithë të tjerëve që për shkak të rregullave të pandemisë e kishim të pamundur t’ju përshëndesim. /Demokracia.com/

Vizitën në Zvicër, ku po qëndroj me ftesë të Parlamentit zviceran, e fillova me një takim me mërgatën tonë, me…

Posted by Vjosa R. Osmani on E martë, 2 Mars 2021

Të ngjashme