Lajme
Osmani në takim me presidentin e akuzuar për ngacmim seksual| Jam e para nga Kosova që vizitoj Kosta Rikën
Demokracia
17:15 | 08 Maj 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka takuar presidentin e ri të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves, me ftesë të të cilit po qëndron në këtë shtet.

Chaves nuk është një emër fort i dashur në politikë, duke marrë parasysh akuzat kundër tij për ngacmim seksual ndaj kolegeve, gjë për të cilën edhe ishte degraduar nga puna, përcjell Demokracia.com.

Osmani përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se është përfaqësuesja e parë nga Kosova që qëndron në Kosta Rikë.

“Kisha nderin e veçantë që si përfaqësuesja e parë e popullit të Kosovës që viziton Kosta Rikën, të takoj Presidentin e ri të vendit, z.Rodrigo Chaves. Me Presidentin Chaves u pajtuam që t’i çojmë marrëdhëniet tona të shkëlqyera bilaterale në lartësi të reja, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe rritjen e interaksionit ekonomik e tregtar”, ka thënë ajo.

Demokracia.com ditë më parë ka raportuar se Chaves dyshohej për sjellje të pahijshme në punë, gjatë kohës sa punonte në Bankën Botërore.

Chaves si ish-ministër i Financave dhe zyrtar i Bankës Botërore ishte degraduar në vitin 2019 për shkak të dyshimeve se kishte ngacmuar seksualisht disa kolege të tij në institucionin financiar me seli në Uashington, raporton Demokracia.com.

Presidenti i ri i Kosta Rikës, sipas “The Wall Street Journal”, bënte sjellje shumë të papërshtatshme.

Raporti tregonte se ai ishte përpjekur që t’i puthte punëtoret e tij, duke bërë komente seksuale për pamjen e tyre dhe duke u ofruar ftesa për në dhoma të ndryshme të hoteleve.

Pavarësisht dokumentimit të dëshmive, praktikë që kishte zgjatur disa vite dhe ishin përfshirë gjashtë gra, Chaves nuk ishte pushuar, por vetëm ishte degraduar nga pozita e tij, përcjell Demokracia.com.

Veç kësaj, ai kishte dalë edhe kundër progresit të Kosta Rikës lidhur me të drejtat e grave dhe komunitetit LGBTI.

Chaves u zgjodh President i Kosta Rikës pas zgjedhjeve të 3 prillit, ku mori 53 për qind të votave, në krahasim me ish-presidentin Jose Maria Figueres, i cili mori 47 për qind./Demokracia.com/

Të ngjashme