Lajme
Osmani në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it: Kosova në NATO do t’i kontribuojë paqes e stabilitetit në rajon dhe Evropë
Demokracia
13:07 | 10 Tetor 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, me ç’rast ka falënderuar për shërbimin e tij të deritashëm në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajarin dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccias.

Në fjalën e saj para admiralit Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, strukturave drejtuese të KFOR-it dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, Osmani ka theksuar se gjeneralmajor Ristuccia po e fillon misionin në vendin më pro NATO-s në botë. Sipas saj, Kosova është partner i besueshëm i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën synon të bëhet anëtare.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani ka falënderuar mijëra gra e burra nga KFOR-i, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen prej 23 vjetësh.

Sipas Osmanit, ndërkohë që KFOR-i e ka reduktuar praninë e tij, Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe njëkohësisht po vazhdon partneritetin dhe koordinimin me forcat paqeruajtëse

“Në vitin 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm që po kryhej kundër popullit të Kosovës. 23 vjet më pas, ushtria jonë po shërben përkrah ushtrisë amerikane dhe vendeve të tjera partnere dhe po kontribuon në misionet paqeruajtëse në mbarë botën. Kosova ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë, dhe ne po e tregojmë këtë edhe një herë duke qëndruar pranë popullit të Ukrainës, tani që paqja, demokracia dhe rendi i bazuar në rregulla ndërkombëtare  janë sërish nën sulm”, ka theksuar Osmani.

Sipas saj, falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor dhe prosperues.

Ajo ka përsëritur qëndrimin se është interes shtetëror i Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kolektive, vlerave demokratike, paqes e stabilitetit në vend, rajon dhe në nivel global.

Të ngjashme