Lajme
Osmani kundër Kurtit për shtrenjtimin e energjisë, por deputetët e Listës Guxo “s’guxojnë” t’i thonë jo VV-së
Demokracia
17:02 | 09 Shkurt 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në publik vazhdimisht duan të duken se janë unik në qëndrime. 

Por ditët e fundit kanë dalë në pah disa mospajtime ndërmjet tyre, shkruan Demokracia.com.

Sot Zyra e Presidentes së Kosovës, nuk është në linjë me Albin Kurtin rreth tarifave të reja të energjisë. Zyra e Presidentes ka deklaruar se është e shqetësuar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë në vendimin final për tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2020 ka marrë vetëm pjesërisht komentet e saj të dërguara në Raportin Konsultativ të ZRRE-së mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë së Shërbyer nën Furnizuesin e Shërbimit Universal.

Por ndonëse presidentja Vjosa Osmani e ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë, deputetët e Lista GUXO që ishte themeluar nga vet Osmani, nuk guxuan të shkojnë në fillim të seancës së thirrur nga 40 deputetët të Kuvendit të Kosovës kundër shtrenjtimit, shkruan Demorkacia.com.

Ata iu bashkuan deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët për 25 minuta injoruan seancën e thirrur nga deputetët opozitarë.

Diku 25 minuta pas fillimit të seancës ata arritën në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Kujtojmë që në këtë seancë nuk ka marrë pjesë askush nga Qeveria e Kosovës.

Ditën e djeshme (e martë) menjëherë pas vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës, Kuvendi i Kosovës duke dashur të largojë vëmendjen e publikut nga shtrenjtimi i publikuan të gjitha shpenzimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për udhëtime që nga viti 2011.

Publikimi i këtij raporti nxori në pah se presidentja, Vjosa Osmani në kohën sa ka qenë deputete e LDK-së prej vitit 2011 deri në vitin 2014 kishte marrë rreth 4 mijë kompensim për derivate, ndonëse nga 2012 kishte jetuar në Prishtinë e jo në Mitrovicë për çka ishte kompensuar.

E publikimi i shpenzimeve të Osmanit nga mediat bëri që bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu të reagoj dhe të fyejë ashpër mediat në Kosovë. Ai i quajti mediat si “Ndërmarrje të Përbashkëta Kriminale”.

Sadriu i cili është i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe pjesë e komponentës rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës shkeli rregulloret e këtyre dy institucioneve.

Si pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sadriu duhet t’i përmbahet rregullores që ky institucion e përcakton rreth deklarimeve publike në rrjetet sociale.

Demokracia.com e ka siguruar Qarkoren e Ministrisë së Punëve të Jashtme për përdorimin e mediumeve elektronike sociale, e cila i është dërguar udhëheqësve të Misioneve Diplomatike të Shërbimit të Jashtëm.

Të ngjashme