Lajme
DOKUMENTE | OSHP-ja e kërcënon me marrje të licencës shefin e prokurimit të KEK-ut, i cili në rolin e prokurorit anuloi dy herë një tender
Demokracia
18:04 | 15 Janar 2024

Share:

Shkelja e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) nga ana e zyrtarëve është vepër penale, e cila sanksionohet me ligjet e Kosovës. Një shkelje të tillë, para pak muajve e ka bërë edhe shefi i prokurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Kështu ka vlerësuar vetë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i cili e ka bërë të qartë se tenderi “Demontimi, modernizimi dhe instalimi i pompës furnizuese në bllokun A3”, që po synon të realizohet që nga viti 2022 u shoqërua me shkelje ligjore nga ana e korporatës, shkruan Demokracia.com.

“Një kompani po ndërhynë që të mos i jepet kontrata kompanisë tjetër…”. Kështu ka qenë arsyetimi i KEK-ut, i cili e ka anuluar para pak muajve krejt tenderin “Demontimi, modernizimi dhe instalimi i pompës furnizuese në bllokun A3”, i cili peshon 400 mijë euro.

Por, pasi ky rast qëndroi për disa muaj në OSHP, ky organ e ka anuluar vendimin e KEK-ut për anulimin dhe e ka urdhëruar që lëndën ta kthejë në rivlerësim. Paneli i OSHP-së ka konsideruar se ky arsyetim është i kundërligjshëm, pasi Ligji i Prokurimit Publik i parasheh saktë rastet sesi e kur anulohet një procedurë e tillë. Po sipas OSHP-së, lidhur më atë se a ka pasur ndërhyrje, mund të merret hetuesia dhe nuk bënë të përdorët si arsyetim.

Demokracia.com ka pyetur nëse korporata e ka dërguar rastin në hetuesi, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Fillimisht, edhe eksperti i OSHP-së kishte rekomanduar Panelin që të anulonte vendimin e KEK-ut. Më pas, ky i fundit ka marrë vendim përfundimtar në fund të dhjetorit 2023. Por, ajo që vërehet është se KEK-u nuk e ka bërë pezullimin e kësaj procedure të prokurimit, pas ankimimit që ka bërë kompania në OSHP. Kjo është një tjetër shkelje e Ligjit të Prokurimit. Lidhur më këtë rast, Demokracia.com kishte raportuar edhe një herë në vitin e kaluar.

Edhe pse OSHP ka marrë vendim para disa muajve që lënda të kthehet në rivlerësim, KEK-u e ka rivlerësuar dhe e ka anuluar përsëri tenderin. Përsëri ka pasur ankesa dhe Paneli edhe një herë ka urdhëruar para pak ditëve që lëndën ta kthejë në rivlerësim dhe të marrë për bazë faktet e veta, në të kundërtën ka kërcënuar që do të marrë masa ndaj shefit të prokurimit.

Si nisi procesi?

Në fund të shtatorit të vitit 2022, blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” kishte dalur nga funksioni, duke shkaktuar shumë telashe të furnizimit me rrymë. Duke parë që ky bllok mund të shkaktojë telashe edhe në të ardhmen, në fund të vitit të kaluar, KEK-u vendosi të shpallë një tender në vlerë prej 400 mijë eurosh, i cili quhet “Demontimi, modernizimi dhe instalimi i pompës furnizuese në bllokun A3”.

Kohëzgjatja e punimeve është paraparë të jetë 180 ditë dhe punët ishte menduar të nisin në verën e sivjetme. Por, tenderi nuk eci ashtu siç e menduan autoritetet e korporatës dhe akoma nuk ka një datë se kur do të lidhet një kontratë për të instaluar pompën e re furnizuese në bllokun A3. Ajo që dihet është se korporata është futur në një rrugë “pa krye” për realizimin e këtij projekti, shkruan Demokracia.com.

Bazuar në ueb-faqen e KRPP-së, KEK-u më 1 dhjetor 2022 ka bërë njoftim për kontratë të vlerës së madhe, me procedurë të hapur.

Aty kanë garuar dy grupe të kompanive dhe një kompani e vetme: 1) “Klaus Union CZ AS – Dega në Kosovë”; “SARMAT LT s.r.o”. më çmim prej 299,999.99 euro.

2) OE “B&D Engineering SHPK & NOVAMAT”, më çmim prej 344,560.00 euro.

Në këtë aktivitet të prokurimit, dy operatorët ekonomikë kanë thënë se kanë autorizim nga i njëjti operator, Flowrserv.

Më 06.03.2023, KEK-u ka publikuar ‘Njoftimin mbi Vendimin’, me të cilin ka shpërblyer me kontratë Grupin e Operatorëve Ekonomikë (GOE) Klaus Union CZ AS – Dega në Kosovë, SARMAT LT s.r.o.

Në garë ka qenë edhe “Flamtron”, e cila ka pasur çmim 363,440.00 euro.

Më këtë vendim nuk është pajtuar kompania në garë, OE“B&D ENGINEERING SH.P.K” dhe më 13 mars ka ushtruar kërkesë për rishqyrtimin e vendimit, e cila më pas është refuzuar si e pabazuar nga prokurimi i KEK-ut.

Pas kësaj, më 27 mars, OE“B&D ENGINEERING SH.P.K” ka parashtruar ankesë në OSHP kundër vendimit të autoritetit kontraktues.

Më pas OSHP-ja e ka autorizuar ekspertin e vet për të shoshitur provat, i cili në fillim në prillit ka nxjerr një raport prej 50 faqeve. Ai ka vlerësuar se KEK-u ka bërë veprime të kundërligjshme kur ka rekomanduar për kontratë grupin e kompanive të lartpërmendura.

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në fund të ekspertizës në këtë raport, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Duke e pasur në tavolinë raportin e ekspertit, por edhe informatat e KEK-ut dhe të kompanisë ankuese, paneli i OSHP-së ka caktuar një mbledhje për të marrë qëndrim përfundimtar lidhur më këtë lëndë. Bordi e ka miratuar vendimin e ekspertit të vet dhe ka sugjeruar që të anulohet vendimi për dhënie të kontratës dhe më pas lëndë ta kthehet në rivlerësim. Pra, janë konstatuar të gjitha shkeljet e bëra nga korporata lidhur më këtë procedurë prokuruese.

Edhe pse OSHP ka marrë vendim para disa muajve që lënda të kthehet në rivlerësim, KEK-u nuk ka bërë akoma asnjë njoftim në KRPP për këtë proces të prokurimit.

Çka gjeti OSHP?

Në raportin që e ka parë Demokracia.com, thuhet se eksperti shqyrtues përmes raportit të ekspertizës ka sqaruar se Kompania SARMAT ka një memorandum me Flowserve që daton në vitin 2010 për pompa të tjera dhe atë vetëm për territorin e Sllovakisë, por jo për modelin e pompës, e cila kërkohet në këtë proces të prokurimit e që e prodhon HALBERG. Sipas ekspertit, meqë tek ky memorandum nuk ekziston lloji i pompës që tani ky grup i OE e ka ofertuar, FLOWSERVE e ka marrë në zotësi prodhuesin HALBERG në vitin 2015, që tregon edhe më shumë se memorandumi i tillë nuk ka asnjë vlerë reale për tu pranuar nga KEK-u si i rregullt (dëshmia për kohën e kalimit të HALBERG në pronësi të FLOWSERVE gjendet tek web faqja www.halberg.com/cms/index.php?id=1570). Sipas ekspertit, me dorëzimin e një dokumenti të pavlefshëm, ligjërisht të pa lejuar për aplikim në territorin ku zhvillohet procedura tenderuese, ky grup i kompanive është i papërgjegjshëm dhe si i tillë nuk do të duhej kurrsesi të kualifikohej si një ofertues i përgjegjshëm.

“Prandaj Autoriteti Kontraktues ka tejkaluar kompetencat duke mos i marrë për bazë informacionet lidhur me këtë dokument, i cili ka ndikuar në kualifikim të OE SARMAT, ndërsa ka ndikuar në rezultatin e OE B & D ENGINEERING SH.P.K. për diskualifikim, kurse AK në përgjigjen në kërkesën për rishqyrtim kishte deklaruar lidhur me shkresën për tërheqjen e autorizimit të prodhuesit FLOWSERVE të pranuar më 11.03.2023 për anëtarin e konsorciumit të grupit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues SMART LT s.r.o. duke pohuar më tej se komisioni i vlerësimit kishte përfunduar vlerësimin dhe i njëjti ishte dërguar për publikim më 06.03.2023, kurse dokumentacioni për prodhuesin atëherë ka qenë valid, sepse nuk ka qenë e përkufizuar afati i skadimit. Po ashtu, vetë kompania e autorizuar ka qenë pjesë e grupit të formuar për konkurrim për këtë aktivitet, kurse deklarojnë po ashtu se nuk kishin pranuar në formë zyrtare ndonjë dokument të tillë”, ka konstatuar eksperti, që sipas panelit të OSHP-së, ky ka qenë konstatim i verifikuar.

Bazuar në këto fakte, Paneli Shqyrtues vendosi për ta kthyer në rivlerësim aktivitetin e prokurimit në fjalë. “Meqë Kompania “SARMAT” nuk është distributor i FLOWSERVE dhe nuk ka të drejtë për të autorizuar një palë tjetër në emër të FLOWSERVE pa autorizimin e tyre, atëherë ka bërë përdorimin e paautorizuar të ISO Certifikatave të prodhuesit FLOWSERVE, le të vërtetohet saktë edhe ky pohim i ankuesit, sipas dokumentacioneve të ofruara nga grupi i të rekomanduarve. Po ashtu, AK të vërtetojë faktin nëse të gjithë anëtarët e konsorciumit të rekomanduar qëndrojnë prapa marrëveshjes së tyre për të ofertuar në këtë projekt”.

Pos që është gjetur se kompania fituese nuk ka përmbushur kërkesat e dosjes se tenderit, Bordi i OSHP-së ka zbuluar se kompania ankuese është eliminuar pa të drejtë, në ato pika që ka konsideruar KEK-u.

Paneli ka konstatuar se komisioni vlerësues i korporatës nuk e ka vlerësuar si duhet tenderin e ankuesit, duke mos i kontrolluar të gjitha dokumentet dhe si pasojë e kësaj neglizhence ka atribuar një mangësi edhe përkundër faktit se dokumenti i tillë ekziston në Dosje të Tenderit – DT, me çka tregohet qartë se AK ka bërë favorizim dhe/ose diskriminim të një OE në raport me OE të tjerë.

“Paneli Shqyrtues bazuar në mendimin e ekspertit lidhur me pretendimin e lartcekur konstaton se AK ka shkelur nenin 7 të LPP-së ku gjatë vlerësimit të tenderit të Grupit të OE që e ka shpallur fitues nuk i ka aplikuar drejtë kërkesat e dosjes së tenderit dhe kërkesat ligjore të LPP-së. Për më tepër veprimi i komisionit të vlerësimit shihet të jetë jo-profesional, kurse sipas nenit 7 të LPP-së konsiderohet edhe veprim favorizues, ngase nuk është zbatuar procesi i vlerësimit ashtu siç kishte specifikuar AK në DT, ngase nuk ishte kërkuar që skica të jetë identike e të gjithë OE pjesëmarrësve. Andaj, Paneli Shqyrtues kërkon nga Autoriteti Kontraktues që gjatë fazës së rivlerësimit të vërtetojë saktë nëse skica e prezantuar nga Ankuesi i posedon të gjitha të dhënat apo informacionet e kërkuara dhe nëse është i përgjegjshëm sipas DT nga AK, duke vepruar në harmoni me nenin 7,28,59,72 të LPP”.

Po ashtu, është gjetur se komisioni ka vepruar në kundërshtim me nenin 28 dhe 59 të LPP-së (për të cilën Paneli Shqyrtues mbështetur në mendimet e ekspertit konstaton se korporata ka shkelur nenin 28 të LPP), pasi që në kërkesat kapaciteti teknik dhe profesional, përveç tjerash kërkohet nga Aneksi 1, vizatimet e planit ideor, skicën e sistemit gypor të cilat gjinden në DT – në ofertë së bashku me të gjitha dokumentacionet e tjera. AK përkatësisht komisioni i vlerësimit konstaton gabimisht për mungesën e këtyre dokumenteve dhe nenin 59 (pasi që gjatë vlerësimit nuk i ka respektuar kërkesat e veta AK, nga njoftimi për kontratë dhe nga dosja e tenderit, ashtu siç ishin përcaktuar paraprakisht). “Ashtu siç u theksua, në pretendimin e lartcekur i mbetet serish Autoritetit Kontraktues që gjatë fazës së rivlerësimit të vërtetojë saktë nëse skica e prezantuar nga Ankuesi i posedon të gjitha të dhënat apo informacionet e kërkuara dhe nëse është i përgjegjshëm apo jo sipas DT”, ka konsideruar Bordi i OSHP-së.

Sipas Panelit, përveç kësaj mund të thuhet se KEK-u ka vepruar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e prokurimit publik, ngase konstatohet se kompania ankuese pjesëmarrëse në këtë garë “B & D ENGINEERING SH.P.K.” ka kontaktuar prodhuesin FLOWSERVE dhe e ka njoftuar me rastin, të cilët kanë reaguar menjëherë përmes përfaqësuesit ligjor që e mbulon territorin e Evropës. Këta të fundit kanë reaguar, duke lëshuar një deklaratë me të cilën e kanë njoftuar edhe KEK-un dhe udhëheqësit kryesorë të tyre, duke treguar se kompania SARMAT nuk është distributor i prodhimeve të tyre për këtë tender dhe se thirrja në autorizimin e vitit 2010 është e jashtëligjshme. Andaj, Paneli Shqyrtues bazuar në të dhënat e lartcekura vjen në përfundimin se në këtë aktivitet të prokurimit, Autoriteti Kontraktues nuk ka respektuar drejtë dispozitat ligjore dhe vendosi ta kthej në rivlerësim, në mënyrë që AK ta bëjë trajtimin e barabartë të të gjithë OE, të bëjë kontrollimin dhe vlerësimin e dokumentacionit në mënyrë të drejtë, të respektojë kërkesat që vetë AK ka vendosur në DT dhe në njoftimin në kontratë.

Në finale të raportit është shkruar se “Përfundim: Paneli shqyrtues pas administrimit dhe vlerësimit të gjithmbarshëm të shkresave të kësaj lënde, vlerëson se ankesa duhet aprovuar si e bazuar dhe të anulohet Vendimi i Autoritetit Kontraktues i datës 06.03.2023, sepse nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, pasi që vetë AK ka deklaruar se njeri nga anëtaret e GOE të rekomanduar është tërhequr para nënshkrimit të kontratës. Paneli konsideron se në rastet e tilla, AK duhet ti përmbahet nenit 65 te LPP-së, duke konfirmuar nëse GOE te rekomanduar për dhënie te kontratës qëndron apo jo mbas deklaratave te dhëna për të ofertuar bashkë në aktivitetin e prokurimit në fjalë. Andaj me rastin e rivlerësimit AK duhet ta identifikojë saktë se OE i rekomanduar për dhënie të kontratës është duke ofertuar bashkë me anëtarin tjetër të konsorciumit apo ka ndonjë ndryshim në përbërjen e konsorciumit në rastin konkret. Autoriteti Kontraktues në fazën e rivlerësimit duhet të ketë kujdes në shkeljet dhe vërejtjet e konstatuara dhe në procedurën e lartcekur të prokurimit të veprojë duke respektuar në tërësi dispozitat ligjore të LPP-së”.

Vendimi i Panelit:

KEK-u e anulon kundërligjshëm

Zyra e prokurimit të KEK-ut e ka marrë këtë vendim dhe ashtu siç thuhet në dispozitat e tij, e ka anuluar ‘njoftimin për dhënie të kontratës’ dhe tenderin e ka kthyer në rivlerësim. Paraprakisht, për vlerësim është caktuar edhe një komision prej tre anëtarëve. Duke pasur lëndën e dy konzorciumeve garuese, komisioni tash është përcaktuar që të shpallë fitues OE “B & D ENGINEERING SH.P.K.”. Ndonëse kompania tjetër kishte çmim më të lirë, komisioni ka gjetur se Kompania “SARMAT” nuk është distributor i FLOWSERVE dhe nuk ka të drejtë për të autorizuar një palë tjetër në emër të FLOWSERVE pa autorizimin e tyre.

Por, autoritetet udhëheqëse të zyrës së prokurimit nuk kanë pranuar të nënshkruajnë dokumentin për dhënie të kontratës të zyrtarëve të tyre. Ata kanë dalë mbi këtë komision, duke e anuluar krejt procedurën e prokurimit më një arsyetim që nuk ka bazë ligjore në Ligjin e Prokurimit.

“Në këtë aktivitet të prokurimit, të dy operatorët ekonomik kanë autorizim nga i njëjti operator -Flowrserv dhe kanë ofertuar si në vijim: Klus Union CZ AS Dega në Kosovë; Sarmat LT, s, r, o me çmim të ofertës 299.999.99 euro dhe B&D Engineering shpk; Novamat shpk, me çmim të ofertës 344.560.00 euro. Gjatë fazës së rivlerësimit, kemi pranuar emalin më datë 23.03.2023 dhe 24.03.2023, nga anëtari grup i operatorëve ekonomik Klaus Union CZ AS Dega në Kosovë& Smart LT, s, r, o, ku pas presionit të bërë nga autorizuesi OE- FLOWSERVE për OE SMART LR , s.o.r, i njëjti është tërhequr nga aktiviteti prokurimit. Nga komunikimet e pranuara vërehet qartë ndërhyrja e anëtarit të konzerciumit NOVOMAT që të mos i mundësohet dhënia e kontratës grupit të OE Klues Union CZ AS Dega në Kosovë& Samrat LT, s, r, o. Bazuar në komunikimet e pranuara ZPP nuk e kanë aprovuar rekomandimin e komisionit të rivlerësimit për shkak të ndikimit në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këtë aktivitet të prokurimit, nga grupi OE B&D Engineering SHPK; NOVAMAT, ku qëllimi i këtij OE ka qenë të pranohet oferta e tij. Marr vendim që ky aktivitet i prokurimit të anulohet”, thuhet në vendimin e zyrtarit kryesor të prokurimit të KEK-ut, i cili është lëshuar më 12.09.2023.

Siç shihet në vendimin e KEK-ut, aty thuhet se kompania ka autorizim nga FLOWSERVE, ndërsa OSHP ka thënë se nuk ka. Madje edhe komisioni i vlerësimit të KEK ka konstatuar që nuk ka, se po të kishte, vetë shefi i prokurimit do të dërgonte para organit disiplinor zyrtarët e vet të prokurimit.

Pastaj, presioni për të cilin flet zyrtari i prokurimit ka të bëjë më organet e hetuesisë, ndërkohë OSHP-ja ka thënë se kompania ankuese e ka pyetur FLOWSERVE me email për të parë nëse kompania e rekomanduar për kontratë ka autorizim. Kjo gjë ndodh në shumë raste të prokurimeve publike.

Paneli i OSHP-së kërkon përsëri anulimin e vendimit të KEK-ut

Pasi KEK-u ka nxjerr vendim për anulim të krejt procedurës tenderuese, te zyra e prokurimit të saj është ankuar OE B&D Engineering SHPK. Ankesa nuk i është marrë për bazë, andaj sipas ligjit është drejtuar tek OSHP-ja. Ky institucion, sikurse edhe herën e parë e ka autorizuar ekspertin e vet shqyrtues për të shoshitur provat. Eksperti Remzi Llumnica më datë 10 tetor 2023 e ka dorëzuar raportin e vet tek Paneli.

“Duke u bazuar në sqarimet, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në fjalën përfundimtare të ekspertizës së tij. Edhe njëherë Paneli e ka urdhëruar para pak ditëve që lëndën ta kthejë në rivlerësim dhe të marrë për bazë faktet e veta, në të kundërtën ka kërcënuar që do të marrë masa ndaj shefit të prokurimit. /Demokracia.com/

Në këtë dokument mund të shihet një pjesë nga vendimi i fundit i Panelit:

 

 

 

Të ngjashme