Lajme
Opozita kërkon nga Qeveria që ta tërheq Ligjin për Pagën Minimale: Po diskriminohen veteranët
Demokracia
12:48 | 13 Qershor 2022

Share:

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku u mor vendim që nesër të mbahet seanca me pikat e papërfunduar nga seanca e kaluar.

Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për caktimin e tri seancave plenare, ku seanca e parë me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara do të jetë nesër në orën 13:00, ndërsa këtë të enjte do të jetë seanca e re plenare, ndërsa edhe me 23 qershor do të jetë seanca e radhës.

Mirëpo partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, që ta tërheqin një pikë të rendit të ditës, Ligjin për Pagën Minimale.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare, kanë thënë se me Ligjin për Pagën Minimale diskriminon veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Demokracia.com.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave që ta tërheq këtë Ligj.

“Ne si grupe parlamentare të opozitës, pra pikërisht PDK-ja përmes një mocioni ka kërkuar që të largohet një pikë e rendit të ditës e cila i diskriminon rëndë veteranët e UÇK-së dhe një çështje e tillë është refuzuar nga mazhuranca dhe pat një tentim që të kalohet kjo pikë, pra që të kalohet ligji për përcaktimin e pagës minimale duke lënë jashtë një kategori jashtëzakonisht të ndjeshme pra siç janë veteranët. Ne i bëjmë thirrje kësaj mazhorance pra qeverisja e Kosovës, konkretisht Ministrisë së Financave ta tërheqin ligjin për përcaktimin e pagës minimale. Lënia jashtë e kategorisë më të ndjeshme në vendin tonë, pra veteranëve të Republikës së Kosovës është një çështje të cilën në asnjë rrethanë ne si grupe parlamentare të opozitës nuk do ta përkrahim. Pra diskriminimi deri në këtë masë pikërisht në 23-vjetorin e çlirimit të vendit tonë pra ku thuren më së shumti lavde për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku thurim më së shumti lavde për veteranët, për invalidët për familjet e dëshmorëve për ata që dhanë më së shumti që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe shtetin e Kosovës  dhe pikërisht në 23-vjetorin e çlirimit të vendit tonë ta kemi një pikë siç është përcaktimi i pagës minimale dhe të mos i shtimë as në pagën minimale pensionet e veteranëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, pra është një dëm jashtëzakonisht i madh që i bëhet në esencë themeleve të lirisë së vendit tonë. Prandaj edhe një herë ju bëjmë thirrje kësaj mazhorance e qeverisë që nesër ta tërheqin këtë pikë nga rendi  ditës sepse është e papranueshme dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të kalojë një propozim i tillë”, ka deklaruar Tahiri, raporton Demokracia.com.

Edhe Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se Ligji për Pagën Minimale duhet të largohet nga rendi i ditës për seancën e ardhshme pasi që ky subjekt politik e sheh si diskriminues.

“Unë kërkova nga Kryesia, respektivisht nga Grupet Parlamentare në emër të Aleancës që Ligji për Pagën minimale të largohet nga rendi i ditës për seancën e ardhshme. E shoh si ligj diskriminues, e shoh si ligj totalisht i pamatur edhe e shoh si ligj që e dëmton në esencë një kategori të rëndësishme, të nderuar të vendit tonë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj po shpresoj dhe po besoj që edhe Lëvizja Vetëvendosje por edhe Qeveria do të reflektojë në këtë kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për largimin nga rendi i ditës për shkak se është gabim shumë i madh, gabim tepër krucial dhe bien ndesh edhe me Ligjin bazik të veteranëve mirëpo edhe me çështjet e tjera”, ka deklaruar Tahiri.

Por shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Ligji për Pagën Minimale lidhet ekskluzivisht me punëtorët e sektorit privat, përderisa theksoi se për veteranët, nuk mund të bëjnë një zgjidhje “ad-hoc” e as zgjidhje tjetër të cilat nuk i kanë të gjitha komponentat, raporton më tutje Demokracia.com.

“Më duhet ta ritheksoj se ne po trajtojmë pagën minimale e cila lidhet ekskluzivisht me punëtorët në sektorin privat. Përderisa kjo qeveri e ka në agjendë legjislative këtë vit të bëjë rishqyrtimin komplet të skemës pensionale. Do me thënë po flasim për dy mekanizma të ndryshëm të cilët nuk janë më të lidhur që nga viti 2017. Ka pasur një ndarje dhe në situatën aktuale mënyra se si është trajtuar kjo është trajtuar me këshillin ekonomik social për 120 mijë punëtorët në sektorin privat. Do të thotë përfshin një kategori të caktuar. Përderisa për të gjitha kategoritë e tjera pjesë e skemave sociale apo skemave apo skemave të mirëqenies, qeveria në agjendën legjislative në këtë vit e ka fillimin e diskutimit të trajtimit të plotësimit dhe ndryshimit të skemës pensionale. Ne në kuvend dy herë radhazi e kemi pasur një grant dhe kredi të butë nga Banka Botërore e cila është refuzuar fillimisht nga LDK dhe pastaj herën e dytë iu ka bashkuar edhe PDK në refuzim të një granti edhe kredie të butë e cila do të mundësonte komplet edhe rishqyrtimin edhe riprogramimin e skemës pensionale. Megjithatë ne prapë jemi të bindur që ky proces do të fillojë këtë vit në shqyrtim të mirëfilltë bashkë edhe me shoqatat e veteranëve të cilët duhet të jenë, natyrisht e mirëkuptojmë, por gjithashtu të shohin edhe rrethanat në të cilat po trajtohet se po trajtohet ligji për pagën minimale të sektorin privat përderisa pjesë të tjera të skemës pensionale të vendit do të kenë një debat dhe një trajtim të veçantë dhe natyrisht nuk mund të bëjmë zgjidhje “ad-hoc” e as nuk mund të bëjmë zgjidhje të cilat nuk e kanë në mënyrë holistike të gjitha komponentat që duhet t’i kenë edhe trajtimi i çështjes së veteranëve”, deklaroi Kusari-Lila.

Theksojmë se javën e kaluar veteranët protestuan para Kuvendit të Kosovës si shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në Ligjin për Pagën Minimale. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Kusari-Lila i shuan shpresat për TRUSTI-n: Vetëvendosje s’e mbështet këtë iniciativë

Të ngjashme