Lajme
Opozita e bashkuar – Qeverisë: Jemi me juve në ndaljen e referendumit serb në Kosovë
Demokracia
14:27 | 14 Janar 2022

Share:

PDK, LDK dhe AAK janë bërë bashkë si rrallë herë dhe i kanë dalë në mbështetje qeverisë për të kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti ndodhet nën presion ndërkombëtar për të lejuar votimin për këtë referendum edhe brenda Kosovës. Kurti i ka thënë BE-së dhe QUINT-it se serbët mund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë, por jo edhe fizikisht duke hapur qendra të votimit, shkruan Demokracia.com.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqin ka thënë se është antikushtetuese mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai ka deklaruar se kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai tutje ka shtuar se “Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se partia e tij pret respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka shkruar Abdixhiku.

AAK-ja në anën tjetër, përmes një komunikate, thekson se përpjekja e Serbisë për referendum  kushtetues në Kosovë është sulm mbi integritetin kushtetues të shtetit tonë.

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të  Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pas takimit me anëtarët e vendeve të QUINT-it ka dalë para gazetarëve por nuk ka dhënë ndonjë informacion se çka kanë biseduar.

Kurti ka thënë se për takimin do të njoftohen në një komunikatë të përbashkët të Kuvendit, Presidencës dhe Qeverisë.

“Unë po shkoj në kryeministri që ta përgatisë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër të Kuvendit të Kosovës, në ora 14:00”, ka thënë Kurti, shkruan Demokracia.com.

Kujtojmë që Shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara) dhe Bashkimi Evropian i kanë bëre thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në referendumin e Serbisë. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme