Lajme
Objekti i ri nuk gjendet në zonën e ambasadave, kosovari nga Londra: Urime shtëpia e re, që veç ambasadë nuk mund të quhet
Demokracia
21:51 | 11 Prill 2023

Share:

Blerja e objektit të Ambasadës së Kosovës në Londër ka ngjallur reagime të shumta.

Për zhvendosjen e Ambasadës së Kosovës në Londër në rezidencën e komedianit britanik, Spike Milligan, e cila kushton 6.5 milionë funte (7.4 milionë euro), ambasadorit Ilir Kapiti i ka reaguar edhe një qytetar që jeton në Londër.

Arsim Vitija i ka reaguar ambasadori Kapiti duke i thënë se lokacioni ku është blerë vila, nuk është në zonën e ambasadave, raporton Demokracia.com.

“Me gjithë respektin i nderuar ambasador, por nuk po me duket ide e mirë e sidomos se ku gjendet kjo shtëpi, jo në zonën ku zakonisht u dashtë të renditet ambasada jonë, aty ku janë shumica e ambasadave, por prapë nuk jam kundër”, ka shkruar ai.

Qytetari Vitija e ka kritikuar ambasadorin Kapiti edhe për mungesën e një qendre të komunitetit të shqiptarëve të Kosovës.

“E në anën tjetër si një komunitet me nam që jemi, për fat të keq nuk kemi as community center tonin (paramendo Somalia e ca shtete me keq se ne kanë comunity center e ne jo ), ku do të bëheshim bashkë komuniteti jonë. Ku fëmijë tanë do të kishin mundësi të mësonin për traditat e kulturën tonë”, ka shkruar ai.

Qytetari ka thënë se kjo nuk mund të quhet ambasadë.

“Po fjalët si Demushi, e punën si askushi i thonë kësaj pune. Ju si ambasador nuk e di se çfarë ka pas kësaj, por ju uroj punë të mbarë e suksese në shtëpinë e re, që veç ambasadë nuk është”, ka shkruar ai.

Për këtë çështje ka reaguar edhe gazetari Daut Dauti që jeton në Londër. Ai ka thënë se objekti i blerë nuk gjendet në zonën ku ndodhen ambasadat e shteteve të tjera.

“Vendi nuk është aq qendror, aq primar, si po reklamohet nëpër medie në Kosovë e Britani, vendi i preferuar për ambasada është karshi parkut ku qëndron kjo ambasadë. Ambasadat e shteteve të huaja preferojnë të koncentrohen në Kensington dhe Belgrevia, do të thotë në rajone në anën tjetër të parkut që janë më të shtrenjta. Sikur kjo shtëpi të ishte matanë parkut do të kushtonte edhe më shtrenjtë”, ka thënë Dauti në Info Magazinë.

Sipas Dautit, për kushtet dhe çmimet në Londër ky objekt nuk ka kushtuar shtrenjtë.

Ai po ashtu shtoi se Kosovës do t’i mjaftonte të kishte vetëm një zyrë të vogël në Britani e jo ambasadë.

“Kosova mendoj se nuk ka nevojë të ketë ambasadë fare, do t’i mjaftonte vetëm në zyrë e vogël ta mbajë kontaktin diplomatik”, ka shtuar ai.

Dauti theksoi se një qendër kulturore do të ishte shumë e nevojshme të ndërtohej në Britani.

Sipas Google Maps, ambasada e re e Kosovës është afër ambasadës ruse në Londër, në Hyde Park. /Demokracia.com/

Të ngjashme