Lajme
Nxënësit me 40 thika, armë të gjata e boksa metali| Nagavci reagon pas aksionit të policisë
Demokracia
21:45 | 24 Qershor 2022

Share:

Mbi 40 thika, pesë pistoleta, dy armë të gjatë, 10 boksa metali, mulli për bluarje të marihuanës e elektro shok, iu gjetën nxënësve në Ferizaj, gjë që ka shkaktuar shumë reagime.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se nga ky aksion, ka mësuar se ka nevojë urgjente për reflektim në shoqëri, përcjell Demokracia.com.

“Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale”, ka thënë ajo.

Postimi i plotë:

Siguria e fëmijëve tanë, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë brenda shkollës dhe rreth saj, është çështje që kërkon vëmendjen e secilit.

Falenderoj Policinë e Kosovës për aksionon e realizuar në afërsi të shkollave në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës. Nga ky aksion dhe këto gjetje mësojmë nevojën urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë.

Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale.

Megjithatë, roli i mësimdhënësve në edukim është kyç, duke qenë se janë ata pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë. Por, menaxhmentet e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve.

Ne jemi duke punuar të bëjmë ndryshime strukturore në sistemin edukativ dhe arsimor, po fenomene si kjo nuk presin ndikimin afatgjatë të politikave arsimore. Jam e vetëdijshme se ne ballafaqohemi me situata të vështira individuale, familjare, sociale e ekonomike, por, ju lutem prindërve që të mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta. Jam e bindur se një raport më i afërt i institucioneve me familjet, do të ndikoi në përmirësimin e kësaj gjendje. Duhet të angazhohemi të gjithë.

Bashkë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!./Demokracia.com/

Të ngjashme