Lajme
Nxënësit kosovarë këtë vit i nënshtrohet testit të famshëm PISA, MASHTI flet për pritshmëritë
Demokracia
16:25 | 09 Mars 2022

Share:

Këtë vit Republika e Kosovës për herë të tretë i nënshtrohet Testit PISA.

Rreth 7 mijë nxënës nga 237 shkolla të Kosovës do t’i nënshtrohen këtij testi.

Rezultatet e këtij testi në vitet paraprake kanë nxjerrë në pah një nivel jo të kënaqshëm të arsimit në Kosovë.

Për organizimin e tij, pritjet për rezultatet e këtij testi, dëmet e shkaktuara nga pandemia Demorkacia.com kanë folur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Iliriana Pylla nga MASHTI e ka konfirmuar se kjo ministri është duke i bërë përgatitjet për mbajtjen e Testit PISA.

Pylla ka thënë se tashmë janë përzgjedhur 237 shkolla, shkruan Demokracia.com.

Por, pritjet nuk janë të mëdha për shkak të vështirësive që ka krijuar zhvillimi i mësimit online, për shkak të pandemisë COVID-19.

“Kosova do të merr pjesë në testin PISA 2022. Gjatë pandemisë ka pasur çrregullime të shumta të procesit mësimor, gjë që ka rezultuar me humbje mësimore të konsiderueshme. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Kosovë, por, pothuajse, në të gjitha vendet e globit. Është shumë e vështirë të parashikohet se cili do të jetë ndikimi i pandemisës në rezultatet e testit PISA. Do të jetë interesante të shihet nëse do të rriten dallimet në mes të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, pasi këto të dytat, ku bën pjesë edhe Kosova, kanë pasur më shumë vështirësi që të organizojnë mësimin në distancë”, ka thënë ajo.

Sipas Pyllës, pandemia mund të reflektojë edhe në rezultatin e këtij testi.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për testin e sivjetmë. Dihet tashmë pandemia në vitet e fundit mund të reflektojë edhe në rezultatin e këtij testi. Jemi dëshmitarë që dy vitet e fundit, jo vetëm në Republikën e Kosovës po gjithandej në botë, janë krijuar zbrazëti të shumta. Shkollat kanë pasur goditje të mëdha në të gjitha vendet e botës, e kjo sigurisht do të reflektojë në rezultat.”, tha Pylla.

Ajo tha se janë bërë edhe disa analiza lidhur me efektet e pandemisë në cilësinë e arsimit.

“Emëruesi i përbashkët i tyre është se nxënësit kanë humbur gjatë kësaj periudhe, si për shkak të ndërprerjeve të procesit mësimor, ashtu edhe për faktin se mësimi në distancë nuk është treguar si zëvendësim adekuat për mësimin me prezencë. Prandaj janë bërë dhe bëhen përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e procesit mësimor”, shtoi ajo për Demokracia.com.
MASHTI ende nuk e ka caktuar data e mbajtjes së testimit, shkruan Demokracia.com.

“Kemi përfunduar fazën e përzgjedhjes së shkollave dhe tani jemi në fazën e kontaktimit të atyre shkollave ku do marrim listën e nxënësve dhe do të përzgjedhim nxënësit. Tani janë përzgjedhur 237 shkolla nga të cilat do të përzgjidhen rreth 7000 nxënës. Ende nuk kemi caktuar datën e saktë, por po mendojmë diku nga maji ose qershori”, u shpreh Pylla.

Ndryshe, programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite.

PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete.

PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse studentët mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë. Pra, ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së studentëve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen edhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri. PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit.

Konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”. /Demokracia.com/

Të ngjashme