Lajme
Nxënësit deri në klasën e pestë do t’u kthehen shkollave nga java e ardhshme
Demokracia
15:57 | 07 Prill 2021

Share:

Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka mbajtur një takim me drejtorët e arsimit të komunave lidhur me masat e reja kundër COVID-19.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga MASHT-i, në të cilën thuhet se përveç çerdheve edhe klasat përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore dhe klasat 1 deri 5 do të vazhdojnë mësimin me praninë fizike të nxënësve në institucione nga data 12 prill, përcjell Demokracia.com.

“Niveli zero (çerdhet dhe kopshtet), klasa përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore, si dhe klasat 1 deri 5, duke respektuar rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen nga COVID-19. Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online, ku edhe duhet të realizohen përgatitjet e duhura për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Kujtojmë se në vendimin e qeverisë thuhet se institucionet e arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), obligohen që të organizojnë formën e mbajtjes së aktivitetit mësimor sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë formën e mbajtjes së aktivitetit mësimor sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Institucionet parashkollore dhe fillore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Njoftimi i plotë i MASHT-it, pa ndërhyrje:

Ministrja e Nagavci i ka njoftuar drejtorët e arsimit për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të procesit mësimor, referuar vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reja anti COVID-19, sipas të cilit prej datës 12-16 prill 2021, mësimi me praninë fizike të fëmijëve në institucionet edukative arsimore do të organizohet për edukimin e hershëm dhe arsimin fillor, që përfshinë:

Niveli zero (çerdhet dhe kopshtet), klasa përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore, si dhe klasat 1 deri 5, duke respektuar rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen nga COVID-19.

Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online, ku edhe duhet të realizohen përgatitjet e duhura për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021.

Komunat kërkuan që të shqyrtohet mundësia e organizimit të mësimit sipas specifikave dhe rekomandimeve të Task Forcave Komunale.

Komunat shprehën edhe shqetësimin për tërheqjen e mjeteve nga buxheti i komunave prej përmbaruesve privat, duke u thirrë në obligime të Kontratës Kolektive.

Shqetësim tjetër është që DKA-të, nuk po arrijnë të kryejnë obligimet e parapara sipas Master Planit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, ku ndër të tjera përfshihet edhe mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia,  pasi buxhetin prej 5 milion euro, qeveria e kaluar e ka shfrytëzuar për pagesën shtesë të mësimdhënësve./Demokracia.com/

Të ngjashme