Lajme
Nuk ka rrezik për luftë në Veri, por për dështim dhe ngecje
Demokracia
17:42 | 17 Janar 2024

Share:

Problemet e sigurisë në Kosovë, posaçërisht në Veri, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, përveç se reflektojnë interferencat destabilizuese të Serbisë, janë edhe pasqyrë e keqmenaxhimit të Qeverisë së Kosovës.

Qysh nga 24 shtatori, kur ndodhi sulmi terrorit në Banjë të Zveçanit, incidente më nuk kishte, përjashto ndonjë rast sporadik, por prej asaj kohe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e liderë të tjerë vazhdimisht kanë folur për potencialitetin e luftës.

Por, ekspertët e sigurisë – ata që nuk punojnë për Qeverinë e Kosovës – kanë thënë për Albanian Post se nuk ekziston ndonjë rrezik për eskalim të situatës në atë pjesë të vendit.

Në fakt, sipas ekspertes, Besa Kabashi-Ramaj – anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës – problemi qëndron diku tjetër.

Te qeveria aktuale dhe drejtuesi i saj “që po shfaqin mangësi në vizionin e lidershipit dhe kompetencën profesionale thelbësore për garantimin e sigurisë së vendit tonë dhe menaxhimin e qëndrueshëm të çështjeve të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes”.

“Mungesa e demonstruar e tyre e të kuptuarit të partneriteteve strategjike, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e dukshme në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare”, ka thënë Kabashi-Ramaj në një bisedë për AP.

Kabashi-Ramaj thotë se lufta e vërtetë me Serbinë do të duhej të ishte ajo e “luftës hibride ruse”.

Gjithashtu, shton ajo, “menaxhimi në mënyrë efektive i shqetësimeve të sigurisë së brendshme, të tilla si integrimi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, ndërtimi i qëndrueshmërisë kombëtare, përmirësimi i sistemeve të menaxhimit të emergjencave dhe njohja e rolit të dixhitalizimit në sigurinë kombëtare”.

Besa Kabashi-Ramaj

Por, ndryshe nga ajo mendon, Ramadan Qehaja, njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, i afërt me qeverinë Kurti.

Sipas tij, përkundër se aktualisht situata është e qetë, “Beogradi zyrtar ka tentativa për ta kthyer gjendjen e mëparshme dhe ato janë shumë të mëdha”, thotë Qehaja për AP.

Por, edhe Qehaja beson se situata në Veri të vendit, përkundër të gjitha përpjekjeve, “nuk do të dalë prej kontrollit”.

Ramadan Qehaja

Por, analizimi i situatave pasi të ndodhin ato, për Besa Kabashi-Ramajn është gabimi i parë që bëhet kur flitet për Veriun.

Çështja, sipas saj, është se cilat janë planet dhe strategjitë që shërbejnë si parandalime të situatave me mundësi shpërthimi.

“Në vend që të adoptojnë një qasje strategjike, ata kanë ndjekur lëvizje populiste pa respektimin e duhur për kornizën më të gjerë të sigurisë”, thotë Kabashi-Ramaj.

Ajo kritikon edhe komisionet ad hoc që u krijuan për të trajtuar krizat, “duke anashkaluar institucionet ekzistuese”.

Kujton edhe “fondin e sigurisë” që dikur u krijua me pompozitet nga Qeveria, por që kurrë s’u mor vesh se si funksionoi.

Kabashi-Ramaj shton se moskuptimi i kësaj qeverie për peshën e veprimeve që bën “është tregues i rrezikut që ata paraqesin”.

Kolegu i saj nga fusha e sigurisë, Qehaja, ka përshtypje tjetër. Ai lëvdon politikat qeveritare për menaxhimin e situatës në Veri “përkundër problemeve që ata i kanë”.

Si përfundim, edhe ai është besimplotë se “situata e sigurisë në Veri është në kontroll”.

Të ngjashme