Lajme
“Nuk është data 31 e as 30 tetor sot” | Gjuha cinike e zëdhënësit të Kurtit për të Dërguarin e Posaçëm të ShBA-së
Demokracia
15:11 | 20 Tetor 2022

Share:

Jo vetëm në këtë kohë, por gjithmonë, shtetet i kanë kushtuar vëmendje të veçantë komunikimit me njëri – tjetrin.

Këtë duhet ta mbajnë gjithmonë parasysh edhe pushtetarët e rinj në Kosovë, mbi të cilët jo pak herë rëndon kritika se janë të papërvojë, të padijshëm, por edhe të pakujdesshëm në raport me shtetin mik të shqiptarëve, Amerikën, shkruan Demokracia.com.

Përveç kryeministrit Albin Kurti, me gjuhën që përdorin nuk po tregohen të matur as vartësit e tij.

I tillë nuk ishte as zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, i cili në një përgjigje që ai e dha për mediet, të enjten në mesditë, duke kundërshtuar një propozim të të dërguarit special të ShBA-së, Gabriel Escobar, u tregua edhe cinik.

“Nuk është data 31 e as 30 tetor sot”, ishte përgjigjja cinike e zëdhënësit Kryeziu ndaj kërkesës së z. Escobar, e cila nuk është një kërkesë personale e Gabrielit, por e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ai nuk paraqet qëndrimet personale.

Kjo përgjigje, lë të kuptojë se janë edhe 10 ditë kohë për serbët për të ndërruar targat ilegale, sikur kjo është një gjë që Escobar nuk e di.

LEXO EDHE:

Escobar kërkoi shtyrje 10 muaj për targat, Qeveria Kurti e kundërshton: Nuk është data 31 e as 30 tetor sot

Një gjuhë e tillë mospërfillëse ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të jetë mënyrë komunikimi e Qeverisë së Republikës së Kosovës me një shtet mik që ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Escobar: Kërkuam të shtyhet për 10 muaj vendimi për targat, por s’morëm garanci nga Kurti

Të ngjashme