Lajme
“Non paper” apo gjeopolitikë e re për Ballkanin Perëndimor?
Demokracia
12:31 | 17 Prill 2021

Share:

Janë tri elemente që e bëjnë të besueshëm “non-paper”-in e kryeministrit slloven. Nëse nisemi nga qasja ndërkombëtare karshi aktiviteteve politike në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë, vërejmë një ndryshim të theksuar, sidomos në dy vitet e fundit.

Përderisa të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kanë qenë “alergjikë” ndaj çfarëdo përdorimi të simboleve kombëtare shqiptare nga ana e institucioneve publike të Kosovës, në këto vitet e fundit duket që janë “imunizuar”. Çfarëdo asocimi i ndonjë simboli të shtetit të ri të Kosovës me ato kombëtare shqiptare ishte mision i pamundur. Ta kujtojmë procesin e aprovimit të simboleve shtetërore, flamurit dhe himnit shtetëror. Në mesin e shumë propozimeve kishte prej atyre që në përbërjet e veta kishin edhe elemente kombëtare shqiptare, por këto propozime u përjashtuan me automatizëm, pa asnjë vlerësim të ndonjë vlere të caktuar. Himnit të shtetit të Kosovës iu hoq çfarëdo teksti, vetëm për të mos përfaqësuar ndonjë element kombëtar, duke ngelur vetëm me një “kolonë zanore”.

Por, a po ndryshon vërtet qasja ndërkombëtare karshi projekteve të tyre për shtete shumetnike në Ballkanin Perëndimor, projekte këto deri tani të promovuara, për të cilat u shpenzuan miliarda euro në këto tri dekadat e fundit? Sado që një gjë e tillë duket e komplikuar në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, diçka vërehet dukshëm se ka ndryshuar!

1. Ta zyrtarizosh Flamurin e Dardanisë si simbol zyrtar të institucionit më të lartë të shtetit të Kosovës dhe të mos kesh as edhe një reagim të vetëm nga ambasadat e huaja të akredituara në Kosovë, nga BE apo raportuesja për Kosovën dhe SHBA-ja, është veprim që vlen të analizohet. Flamuri i Dardanisë jo vetëm që paraqet elementin kombëtar – shqiponjën dy krenare – por shkon edhe përtej kësaj simbolike. Ky simbol, Kosovën e njeh edhe para vetë emrit të vet si Kosovë dhe na kthen në histori para dyndjeve sllave në Ballkan, atëherë kur Kosova njihej si Dardani. Kujtojmë që ishin po këta partnerë ndërkombëtarë të Kosovës, që nuk lejuan asnjë gjurmë kombëtare në institucionet e Kosovës. UÇK-ja luftoi me stemën e vet që në zemër kishte shkabën dy-krenare, por u detyruam të heqim dorë nga ky simbol kombëtar vetëm për ta fituar përkrahjen ndërkombëtare për një proces 20 vjeçar drejt themelimit të Ushtrisë së Kosovës, pa simbole kombëtare shqiptare. Partnerët ndërkombëtarë simbole të tilla nuk lejuan as edhe në institucione tjera. Simbolet duhet të paraqesin karakterin shumetnik të shtetit të Kosovës – kjo qasje ishte e prerë nga ndërkombëtarët, si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.

2. Të emërosh një ministër nga radhët e komunitetit serb dhe atë jo në një resor që paraqet ndonjë peshë të veçantë, pa asnjë reagim ndërkombëtar, është një element tjetër. Komuniteti serb përfaqësohet me 10+1 ulëse në Kuvend, por u emëruan dy ministra nga radhët e komuniteteve tjera dhe çuditërisht nuk pat asnjë kundërshtim nga ambasadat e huaja në Kosovë! Ky është një element tjetër për t’u analizuar, nëse për ndërkombëtarët më nuk ka rëndësi sesi trajtohet ky komunitet në Kosovë apo nëse shteti i Kosovës për ta tashmë është veç një “projekt kalimtar”.

3. Të bëhet fushatë nga Kryeministri i Kosovës në një shtet “tjetër” (siç flisnin njëzëri ndërkombëtarët: jeni dy shtete). Madje edhe me pjesëmarrje të kabinetit qeveritar, si asnjëherë më parë, në përkrahje direkte të një subjekti apo lëvizjeje politike që në program të saj ka të qartë idenë e bashkimit kombëtar dhe prapë të mos ketë reagime nga po të njëjtit “partnerë ndërkombëtarë të Kosovës”, të cilët nuk e lejuan Kosovën që as 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, ta ketë në kuadër të kalendarit të festave, por e lejuan vetëm tek “të dëshiruarat”, gjithsesi që është ndryshim shumë i madh. Ta presim 28 Nëntorin e këtij viti dhe të shohim sesi do të shënohet nga Qeveria, që udhëhiqet nga partia që qëllim kryesor nga themelimi kishte bashkimin kombëtar, për ta parë se cila do të jetë qasja e ndërkombëtarëve për shënimin e kësaj dite kombëtare.

Diçka patjetër që ka ndryshuar dhe vetëm dy opsione i kam parasysh:

1. Ndërkombëtarët kanë hequr dorë nga Kosova!?

2. Kosova tashmë është fazë tranzitore drejt një finaleje tjetër!?

Këto ditë “rrodhi” gjoja një “non-paper”, që u tha se doli si ide nga hiq më pak se kryeministri i një shteti me shumë peshë për Evropën Juglindore dhe vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Sllovenia, jo vetëm që paraqet peshë të madhe për rajonin tonë, por gjithashtu nga 1 korriku i këtij viti do ta marrë edhe kryesimin e BE-së dhe në kanale të ndryshme u interpretua në shumë mënyra ky “non-paper”, por një gjë ishte e qartë: kjo ide ishte diskutuar në takime të niveleve më të larta ndërkombëtare, kuptohet “jo formalisht”.

Personalisht, nuk është që nuk më pëlqeu një version i hartës që qarkulloi këto ditë, kuptohet me disa ndryshime të vogla. Me këto ndryshime, ndoshta çdo shqiptar do të votonte në favor të kësaj ideje, po të kishte një referendum për të.

Sfidë për Bashkimin Evropian dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë do të jetë Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, pasi që me shqiptarët do të jetë më së lehti e menaxhueshme një ide e tillë!

Të ngjashme