Lajme
Njeriu më i afërt i Kurtit i kërkon mediumit ta heq shkrimin, kërcënoi me “masa ligjore”
Demokracia
19:10 | 21 Mars 2022

Share:

Luan Dalipi, shefi i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, e ka kërcënuar sot një medium online me ndërmarrje të masave ligjore në rast se nuk e heq shkrimin, i cili për protagonist ka të dënuarin Shaban Kilaj dhe lidhjet e tij me prokurorin Armend Hamiti.

Bëhet fjalë për Paparacin, i cili kishte raportuar për përfshirjen e Kilajt, të dënuar për kontrabandim të migrantëve në ShBA, në një bashkë-komunikim përmes një shtetasi amerikan me Luan Dalipin dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës.

Korrospodenca përfshin edhe emrat e Genc Nimonit, shefit të kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit Kurti. E-mailet dyshohet se kishin temë diskutimi ndërtimin e një policie sekrete ushtarake.

Luan Dalipi, përveç se i ka cilësuar shpifje raportimet e mediumit, ka kërcënuar masa ligjore kundrejt mediumit, në rast se nuk e heqë nga publikimi artikullin e publikuar të mërkurën, i cili dëshmon për lidhjet e prokurorit Armend Hamiti me Shaban Kilajn. 

“Shkrimi juaj, trajton një çështje krejt tjetër, e cila nuk ka lidhje me atë që i jeni referuar. Andaj, kërkoj që shkrimi i tillë të heqet nga publikimi, në të kundërtën do të ndërmarrim hapat ligjor”, kishte theksuar Dalipi.

Në kërkesën e Paparacit për sqarime lidhur me përfshirjen e Kilajt në iniciativat ligjore të qeverisë, shefi i Kabinetit të Kryeministrit kishte akuzuar mediumin për raportime të pavërteta.

Dalipi, mohoi me ngulm përkrahjen e pushtetit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje për Armend Hamitin, kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit.

“Teksti juaj permban shpifje te renda dhe te papranueshme per mua dhe koleget e mi nga qeveria. Artikulli juaj duket te jete tendecioz dhe më shumë adreson animin që ju mbani si portal ndaj kandidatures së njërit prej kandidatëve për Kryeprokuror”, ka thënë Dalipi.

Përfshirjen e të dënuarit Kilaj në iniciativat ligjore që pranoi qeveria nga Kevin Cooper, një shtetas amerikan që drejton firmën këshilluese “KC Estimating & Construction Services, LLC”, Dalipi po ashtu e hodhi poshtë.

Cooper, sipas dëshmive të Paparacit, ka lidhje të afërta me Shaban Kilajn.

“Absolutisht asnjëherë nuk është përmendur protagonisti juaj Kilaj nga askush, ose të paktën unë nuk jam në dijeni. Shtetasit amerikanët Kevin Cooper dhe Ray Kolb nga “KCI LLC” patën dërguar vullnetarisht (Ang: ‘unsolicited’) një letër në ZKM në qershor 2021, bashkë me referencat e kompanisë së tyre për punë/projekte në lidhje me reformim të sektorit të drejtësisë”, tha ai.

Dalipi ka konfirmuar takimin me Kevin Cooper, shtetasin amerikan të afërt me Shaban Kilajn.

“Kjo është praktike e zakonshme, kemi në vazhdimësi me dhjetëra kompani / organizata që shprehin interesimin e tyre për të bashkëpunuar me qeverinë tonë”, u shpreh shefi i Kabinetit të Kryeministrit Kurti.

Bazuar në sqarimet e Dalipit, Cooper po ashtu është takuar me shefat e kabineteve të ministrive përkatëse.

“Pas disa kërkesave, unë i kam pritë njëherë në zyre time, dhe pastaj në baze të fushave në të cilat kanë shprehur interesim iu kam rekomanduar që të takohen me shefat e kabineteve të ministrive relevante, si dhe me këshilltarët dhe zyrtarët publik në ZKM që mbulojnë fushat e drejtësisë dhe sigurisë”, vijoi udhëheqësi i Kabinetit të Kurtit.

Luan Dalipi, sulmoi të hënën mediat edhe përmes një shkrimi publik.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi sulmin e Dalipit.

AGK-ja e konsideroi të rrezikshme thirrjen publike kundër mediave, të njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri.

“Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetari në vend”, thuhet në njoftim.

Shefi i stafit të Kryeministrit, Albin Kurti, Luan Dalipi, me anë të një shkrimi ka thënë se mediat “ngjasojnë me kompani të kriminalizuara”.

Dalipi, në sulmin e tij, ka thënë se mediat po përdoren për të shantazhuar qeverinë.

Të ngjashme