Lajme
Një grua u dënua me burgim të përjetshëm në SHBA për vrasjen e dy fëmijëve të saj
Demokracia
22:30 | 31 Korrik 2023

Share:

Një grua e njohur për nofkën “nëna e fundit të botës” është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht për vrasjen e dy fëmijëve të saj dhe ish-gruan e burrit të saj.

Lori Vallow, 50-vjeçare, ishte e fiksuar pas një apokalipsi fetar, thanë prokurorët në SHBA.

Nëna, nga Idaho, besonte se fëmijët e saj duhej të masakroheshin që të mund të shkonin në parajsë, u tha në gjyqin e saj.

Ajo supozohet se besonte se djali dhe vajza e saj ishin zombie. Ajo mori tri dënime të përjetshme, nga një për secilën prej akuzave që ishin ndaj saj, për t’i vuajtur secilën njëra pas tjetrës.

Zhdukja e dy prej fëmijëve të saj – shtatëvjeçarit Joshua dhe motrës së tij Tylee Ryan, 16 vjeç – në shtator të vitit 2019 e tronditi kombin dhe e nisi një kërkim disa mujor.

Vetëm në qershor të vitit 2020 policia gjeti gjymtyrët e fëmijëve në një pronë në fshatin Idaho që i përkiste burrit të pestë të Vallow, Chad Daybell, i cili është në pritje të gjyqit për të njëjtat akuza për vrasje.

Pas një gjyqi të gjatë, Vallow u dënua për vrasjet e tyre në maj të këtij viti, së bashku me komplotin për të vrarë ish-gruan e burrit të saj Daybell, Tammy.

Vallow u shfaq në Gjykatën e Qarkut Fremont në St Anthony, Idaho, të hënën për dënim.

Para dënimit të saj, ajo iu drejtua gjykatës duke pretenduar se ajo kishte komunikuar me “botën e shpirtrave”.

Ajo i tha gjykatësit se e dinte “për një fakt” se fëmijët e saj dhe Tammy Daybell ishin të lumtur në parajsë. Ajo tha se ka komunikuar me fëmijët e saj dhe se ata janë të lumtur pas vdekjes së tyre.

Vallow gjithashtu përballet me dy raste të tjera në Arizona – një me akuzën për komplot me vëllanë e saj për të vrarë burrin e saj të katërt, Charles Vallow, dhe një për komplot për të vrarë ish-burrin e mbesës së saj.

Charles Vallow u qëllua dhe u vra në vitin 2019, por ish-bashkëshorti i mbesës së saj mbijetoi, shkruan Skynews.

Të ngjashme