Sport
Nis kursi teknik për trajnerët e shigjetarisë, niveli 2
Demokracia
13:19 | 03 Maj 2022

Share:

Ka nisur sot niveli i dytë i kursit teknik për trajnerët e shigjetarisë, i cili po mbështetet nga Komiteti Olimpik i Kosovës, falë projektit të fituar në Solidaritetin Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), si dhe bashkëpunimit me Federatën Botërore të Shigjetarisë.

Në kurs po ligjëron eksperti ndërkombëtar nga Greqia, Christos Karmoiris, ndërsa ligjëratat po i ndjekin 19 pjesëmarrës, dy prej të cilëve janë nga Shoqata Shqiptare e Harkut.

Ligjëratat po mbahen në ambientet e Holiday Resort në Sllatinë të Fushë Kosovës.

Të pranishëm në hapje të kursit ishin edhe udhëheqësit e Akademisë Olimpike të Kosovës, Fitim Arifi e Diellza Kelmendi, të cilët folën për rëndësinë që ka vijimi i kurseve të tilla, derisa vlerësuan federatën për angazhimin dhe rëndësinë që po i japin ngritjes së kapaciteteve, respektivisht edukimit të trajnerëve.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Christos Karmoiris, i cili u shpreh i nderuar që iu dha mundësia për të ligjëruar edhe në Kosovë, duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së shigjetarisë në vendin tonë.

Edhe kryetari i Federatës së Shigjetarisë së Kosovës, Agron Mala, falënderoi vijuesit e kursit, ekspertin dhe KOK-un, derisa iu uroi mbarësi dhe suksese. /Demokracia.com

Të ngjashme