Lajme
Alarmante| Mbi 1 mijë pelikanë të ngordhur në Greqi
Demokracia
13:45 | 22 Mars 2022

Share:

Zbulimi i qindra shpendëve të ngordhur, shumica e tyre në Liqenin e Prespës së vogël, ka shkaktuar shqetësim të madh ditët e fundit tek autoritetet greke në Greqinë Perëndimore.

Specialistët kanë konstatuar se shkak për këtë është përhapja e gripit të shpendëve në këtë zonë.

Sipas autoriteteve që kanë nisur një operacion të madh ditën e shtunë për mbledhjen e këtyre shpendëve, në këtë liqen ka më shumë se 1000 pelikanë të ngordhur, ndërsa 60 të tjerë janë gjetur në Liqenin Heimaditida dhe 12 në atë të Zazarit pranë Aminteos.

Edhe forcat e ushtrisë kanë marrë pjesë në operacion pasi bëhet fjalë për një numër të madh shpendësh që duhet të mblidhen dhe të groposen në kushte të caktuara higjienike.

Gjithashtu në liqenin e Kosturit deri më tani janë evidentuar dy mjellma dhe mbi 50 pelikanë të ngordhur.

Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve Ana, nënkryetarja e bashkisë së Aminteos, Eleni Gyriki, tha se 80 pelikanë të ngordhur ishin mbledhur nga peshkatarët që dilnin me varkat e tyre dhe ishin vendosur në çanta speciale për të minimizuar transmetimin e virusit.

Një operacion i një kompanie private në Liqenin e Prespës së Vogël ka mbledhur deri më tani 748 pelikanë të ngordhur në katër ditë.

Në Prespën e vogël në anën e Greqisë strehohet një nga kolonitë më të mëdha të pelikanëve në Europë, përcjell gazeta “Si”.

Pelikanët e parë të ngordhur u gjetën në mes të shkurtit dhe fenomeni “shpërtheu” shpejt. Në 2 javët e para u regjistruan 574 pelikanë të ngordhur në Prespë dhe 24 të tjerë në liqenin Heimaditida, tha Myrsini Malakou drejtoresha e Organizatës së Mbrojtjes së Prespës.

Ajo theksoi se vitin e kaluar janë gjetur gjithsej 70 pelikanë të ngordhur.

“Në matjet që bëjmë çdo vit në koloni, duke përdorur drone dhe teleskopë, ne pamë zogjtë e ngordhur, në një numër që nuk është parë kurrë më parë”, tha Malakou.

 

Të ngjashme