Lajme
Nga janari deri më sot, 17 qytetarëve u është shkelur privatësia
Demokracia
09:17 | 18 Shkurt 2022

Share:

Agjencia për Informim dhe Privatësi si institucion i pavarur përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave personale ekziston që nga viti 2011, fillimisht si Agjenci Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Por, me ndryshimin e ligjit në mars të vitit 2019 ka ndryshuar edhe struktura dhe emërtimi i institucionit, i cili tash quhet Agjencia për Informim dhe Privatësi – AIP.

Vitin e kaluar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi janë paraqitur 35 ankesa, ndërsa nga janari i këtij viti e deri më sot janë paraqitur 17 ankesa.

“Numri i ankesave për vitin 2021 është gjithsej 35 ankesa, ndërsa nga janari deri më sot janë gjithsej shtatëmbëdhjetë (17) ankesa”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Demokracia.com.

Në momentin që qytetarët japin informacionet e tyre në një institucion, institucioni përkatës nuk ka të drejtë t’i përdorë ato të dhëna për qëllime të tjera.

“Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përcaktuar parimet e përpunimit të të dhënave personale, ku përveç parimit të ligjshmërisë, i cili nënkupton se të dhënat personale duhet të përpunohen në mënyrë të ligjshme, është përcaktuar edhe parimi i kufizimit të qëllimit, që nënkupton se të dhënat personale grumbullohen vetëm për qëllime të caktuara, të qarta dhe legjitime dhe nuk mund të përpunohen më tutje në kundërshtim më këto qëllime. Por, të dhënat mund të përpunohet edhe përtej qëllimit fillestar, nëse është paraparë me ligj apo subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin për një ose më shumë qëllime specifike”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.

Të dhënat personale, sipas kësaj agjencie, ruhen brenda afateve që janë përcaktuar nga legjislacioni përkatës, ndërsa pas kalimit të afateve të përcaktuara të dhënat i nënshtrohen ligjit për arkivat dhe lëndët arkivore mund të shkatërrohen.

“Të dhënat personale ruhen brenda afateve që janë përcaktuar nga legjislacioni përkatës që trajton dhe rregullon përpunimin e të dhënave personale në fusha të caktuara. Pas kalimit të afateve të përcaktuara të dhënat i nënshtrohen ligjit për arkivat dhe lëndët arkivore ose mund të shkatërrohen, fshihen dhe për këtë është obligim i çdo kontrolluesi dhe përpunuesi të të dhënave që të përcaktoj rregulla dhe procedura të shkruara për ta kryer një veprim të tillë”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kjo agjenci ka mandat të shqiptojë edhe gjoba kundërvajtëse në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Në rast të konstatimit të shkeljes së dispozitave të LMDHP, Agjencia ka mandatin të shqiptojë gjoba kundërvajtëse ashtu siç janë përcaktuar në kreun XXI të LMDHP-së dhe varësisht nga natyra, lloji, mënyra e shkeljes, ligji ka përcaktuar dhe shumën e gjobave”.

Ligji me dispozitat e tij ka rregulluar edhe vendosjen e video-vëzhgimit me kamerë në ndërtesa zyrtare dhe biznese.

“Neni 76 i LMDHP ka përcaktuar se personat në sektorin publik dhe privat mund të instalojnë sistemet e vëzhgimit me kamerë për vëzhgimin e ndërtesave të tyre nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë. Por, për të plotësuar obligimet që dalin nga ligji, personat që vendosin të instalojnë sistemin e vëzhgimit me kamerë, fillimisht duhet të marrin një vendim nga nëpunësi kompetent, në të cilin duhet të japin arsyet e vendosjes, të kujdesen që kamerat mund të mbikëqyrin pjesën e jashtme dhe hyrjen e ndërtesës dhe mos të kalojnë perimetrin e pronës të institucionit apo kompanisë dhe të vendosin një njoftim që duhet të jetë i dukshëm dhe të bëhet publik në mënyrë që t’iu mundësojë subjekteve të të dhënave, që pa vështirësi, të njoftohen me masat, më së voni kur të fillojë vëzhgimi me kamerë”, thuhet në përgjigjen e AIP për Demokracia.com.

Ndër të tjera, më përgjigjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi thuhet se regjistrimet e këtyre mund të ruhen deri në një (1) muaj. Ndërsa, në rast se të dhënat e përpunuara nga sistemi i vëzhgimit me kamerë nuk përpunohen sipas kritereve ligjore, atëherë mund të kemi përpunim jo të ligjshëm të të dhënave.

Në fund të muajit qershor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës ka emëruar Komisioneren për Informim dhe Privatësi, me ç’rast edhe është bërë edhe funksionalizimi i agjencisë për të ushtruar kompetencat e saj ligjore./Demokracia.com/

Të ngjashme