Lajme
Nga Emergjenca tregojnë për gjendjen e fëmijës që u shkel me veturë nga Rozeta Hajdari
Demokracia
12:50 | 11 Prill 2022

Share:

Një fëmijë i moshës së mitur ka pësuar lëndime trupore, pasi ai është goditur nga vetura e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dje rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht lidhur me këtë ngjarje, e cila deri në mbrëmje ishte provuar të izolohej dhe të mos dilte në publik.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, për Demokracia.com ka dhënë detaje për fëmijën që u goditë me veturë këtë të diel nga ministrja Rozeta Hajdari.

“Ka marrë trajtimin e nevojshëm tek ne dhe është lëshuar në shtëpi”, ka thënë Syla për Demokracia.com.

Ai tha më tej se fëmija nuk ka pasur lëndime të rënda.

“Pasi që është liruar për në shtëpi do të thotë që nuk ka pas lëndime të rënda”, tha më tej Syla.

Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast dhe ka arritur ta sigurojë raportin zyrtar të Policisë së Kosovës, ku thuhet se aksidenti ishte shkaktuar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës nga ana e ministres Rozeta Hajdari.

“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *****. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me **** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin zyrtar të siguruar nga Demokracia.com.

Ndërsa, në raportin 24-orësh, Policia nuk ka dhënë shumë detaje.

Ata nuk kanë treguar se viktima ka qenë i mitur.

“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME – Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë./Demokraica.com/

Të ngjashme