Lajme
Nesër mblidhet Qeveria, pritet të merret vendim për çmimin e derivateve
Demokracia
16:12 | 21 Qershor 2022

Share:

Qeveria e Kosovës nesër nga ora 10:00 do të mbaj mbledhjen e radhës. Në rend të ditës janë gjithsej 23 pika, njëra ndër to është edhe projekt-udhëzimi Administrativ për Rregullimin e çmimeve të naftës.

Për çmimin e derivateve dhe masës mbrojtëse të tyre do të flitet nesër në Qeverinë e Kosovës.

Në rendin e ditës që e ka siguruar Demokracia.com, shihet se do të shqyrtohet projekt-udhëzimit Administrativ për Rregullimin e çmimeve të naftës.

“Shqyrtimi i projekt-udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripëtëritshme dhe Masat e tjera Mbrojtjes”, shkruan Demokracia.com.

Ditë më parë, kryeministri, Albin Kurti ka treguar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës.

Kurti ka thënë në një konferencë për media se heqja e TVSH-së dhe akcizës për naftën është një politikë e padobishme, e cila siç ka thënë, i rritë fitimet e tregtarëve.

“Heqjen e TVSH-së dhe akcizës nuk e konsiderojmë politikë të dobishme pasi nuk u ndihmon atyre që janë në nevojë dhe rasti i Gjermanisë ka treguar se çfarëdo heqje e tatimit në derivate të naftës nuk u ndihmon qytetarëve, përkundrazi mund t’i rrisë fitimet e tregtarëve. Ne synojmë që me politika sociale t’i ndihmojmë qytetarët e Kosovës dhe jo duke bërë hamendësime të cilat në fund shndërrohen në superprofit për tregtarët dhe aspak lehtësime për qytetarët. Jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës. Qëllimi ynë është që t’i mbrojmë konsumatorët pasi naftën e importojmë dhe njëkohësisht më pastaj të kujdesemi edhe që tregu të mos deformohet, pra të ketë konkurrencë të barabartë në treg”, është shprehur Kurti.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një deklarim për Demokracia.com ka treguar se si mund të furnizohen qytetarët me derivate më të lira.

Ai ka thënë se këtë e ka në dorë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse Albin Kurti dëshiron që t’i ndihmoj qytetarët e Kosovës, dhe që ata të blejnë derivate më të lira, atëherë le ta heq akcizën për naftë dhe benzinë. Këtë vendim mund ta marr qeveria. Neve nuk është që na konvenon, por këtë Kurti mund ta bëjë për qytetarët”, ka treguar Berjani.

Kryetari i Naftëtarëve ka thënë se kërcënimi për mbyllja të pikave shitëse është bërë për të treguar se vendimi për ulje të çmimit deri në 12 cent i falimenton kompanitë.

Por, Berjani beson që këtë vendim nuk do ta marr qeveria dhe se nuk do të ketë nevojë për protesta.

“ Nuk do të vijë puna deri të protesta, sepse besoj dhe shpresoj që kryeministri do t’i marr parasysh kërkesat tona. Vendimi është i dëmshëm dhe do t’i falimentoj shumë pika të karburantit. Shoqata kërkon që vetëm tregu të jetë i lirë”, ka thënë Berjani.

Ka disa muaj prej kur qytetarët janë duke u përballur me rritje ekstreme të çmimeve.

Gjithçka nisi nga energjia elektrike, më pas në produktet bazë e duke vazhduar edhe deri tek çmimi i derivateve.

Por edhe më shqetësuese kjo çështje është bërë tani kur çmimi i derivateve ka arritur në 1.90 euro në litër.

E siç duket çmimi i derivateve do të shkojë edhe më lart, saktësisht në 2.30 euro.

Verë e nxehtë| Paralajmërohet rritja e çmimit të derivateve, një litër pritet shkojë deri në 2.30 euro – Demokracia

Kjo është paralajmëruar edhe nga ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Pestreshi.

“Por asnjëherë nuk ndërhynë në përcaktimin e marzhës së fitimit apo të çmimit shitës, sepse Amerika ka ekonomi të tregut. Në vendin tonë, deri në gusht/22 çmimet e derivateve pritet te prekin vlerat 2.30€/litër. Ne si qytetarë të Republikës së Kosovës idenë nuk e kemi se çfarë masa mbrojtëse do të ndërmerr Qeveria jonë”, ka thënë Pestreshi.

Ai shtoi se ne si qytetarë, nuk e kemi idenë se çfarë masa mbrojtëse do të ndërmerr Qeveria./Demokracia.com/. 

Të ngjashme