Intervista
Nëse ke Stratocaster, mund ta sundosh botën!
Demokracia
09:03 | 16 Prill 2024

Share:

Nga: Andy Welch / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

 

“E gjeta Stratin [kitarën Fender Stratocaster] më të lirë në të gjitha dyqanet”, thotë Nile Rodgers, teksa flet nga Majami – pikërisht në vendin ku e kërkoi atë që më vonë do të konsiderohet si kitara më e mirë elektrike në botë. “Bëra tregti me [modelin tim të kitarës] Gibson Barney Kessel. Djali prapa arke ma dha Stratin – dhe 300 dollarë”.

Duke e kujtuar modelin në të cilin luante heroi i tij Jimi Hendrix në Uodstok, në vitin 1969, Rodgersi e përmirësoi kitarën dhe e leu me ngjyrën e bardhë. Më pas u mbyll në banjën e vet për tre ditë – “duke ushtruar” – derisa e kishte përvetësuar një teknikë të re.

I armatosur me këtë instrument të ri, model i vitit 1960 dhe me qafën e vitit 1959, Rodgersi nisi me rishpikjen e muzikës. Tingulli i tij unik u bë shtylla kurrizore e diskos – bëri hite për emrat si Diana Ross, Sister Sledge dhe grupin e tij Chic. Shumë shpejt erdhën angazhimet e tjera, nga David Bowie e deri te Grace Jones, Madonna, Duran Duran dhe Daft Punk. Strati i Rogersit mund të dëgjohet në disqet që janë shitur në qindra-miliona kopje, duke fituar jo një po dy pseudonime: “krijuesi i hiteve” dhe “kitara e dy miliardë dollarëve”.

“Është ajo që njerëzit duan kur më kërkojnë”, thotë ai. “Dhe, betohem, gjithmonë shkoj në një seancë incizimi duke menduar: ‘Kjo nuk është ajo çfarë ata duan’! Pastaj shoh se duken të zhgënjyer. ‘Çfarë nuk shkon?’ – pyes. ‘Është mirë – këto akorde janë të mira’! Dhe, thonë: ‘A mund të luash atë gjënë e Stratocaster-it të Nile Rodgersit’? Kështu, e marr Stratin tim dhe e bëj gjënë time. Dhe, gjithmonë duken të lumtur. Ajo kitarë ma ndryshoi jetën me një mijë përqind”.

Duke festuar 70-vjetorin e lindjes në këtë pranverë, Strati – ose Fender Stratocaster – mund të jetë instrumenti më i njohur muzikor i të gjitha kohërave. Me siguri është kitara më e shitur. “Strati është i qëndrueshëm sa një mushkë”, ka thënë dikur Keith Richards, “megjithatë e ka elegancën e një kali të garave. Ka gjithçka që ju nevojitet”.

Bonnie Raitt e bleu Stratin e parë në vitin 1969, në rrugë dhe në orën tre të mëngjesit – menjëherë pas një koncerti. E ka përdorur në çdo koncert dhe ishte thelbësor për 13 çmimet e saj Grammy. “Ka ton që nuk vjen me kitarat e tjera”, thotë ajo.

Riparuesi i radiove që u bë shpikës, Leo Fender, nuk mund ta dinte se çfarë është duke bërë kur nisi të projektonte Stratin në fillim të viteve 1950. Ndoshta për shkak se nuk ishte kitarist, bëri dizajn më ndryshe, me theks jo vetëm në prodhim – por, edhe në riparim. Prandaj, qafa ishte e montuar me vidha dhe jo ngjitës. Ia doli disa vjet më parë me modelin Broadcaster, i cili më vonë u riemërua Telecaster – për shkak të grindjes ligjore me prodhuesin rival, kompaninë Gretsch. Po ashtu e projektoi basin Fender Precision. Të dy këto ishin suksese të menjëhershme.

Strati është ndoshta ajo që të vjen në mendje kur dikush dëgjon fjalët “kitarë elektrike”. Miliona vetë kanë mësuar në Strat – qoftë i bërë nga Fender-i, nga modeli më i lirë Squier, ose nga kompanitë e shumta që prodhonin kopje. Shumë të tjerë ëndërrojnë të kenë një model të nivelit të lartë, të porositur në Fender, që ka një shumë prej pesë shifrave. Pastaj janë Stratët e dorës së dytë me pronarë të mëparshëm të famshëm. Modeli i zi i vitit 1969 me të cilin David Gilmour i grupit Pink Floyd interpretoi në albumet The Dark Side of the MoonWish You Were Here dhe The Wall, u shit për pothuajse katër milionë dollarë për bamirësi.

Pra, si tingëllon Strati? Gjithçka që ti dëshiron. Mund ta shijosh gamën e tij në të gjitha këto këngë: MisirlouApacheNowhere ManLittle WingSmoke on the WaterComfortably NumbThere Is a Light That Never Goes OutSmells Like Teen SpiritLast Nite dhe I Bet You Look Good on the Dancefloor.

Mjeshtri i muzikës bluz, Joe Bonamassa, ka një nga koleksionet më të mëdha të kitarave në botë, duke përfshirë shumë Stratë të cilësisë së mirë muzeale. “Shumë pak ka ndryshuar nga viti 1954 e deri tash”, thotë ai. “Në thelb, ka qenë e njëjta kitarë për 70 vjet”.

Në fakt, ka pasur vetëm një pjesë të vogël të ndryshimeve. Sepse, Strati mbeti gjithmonë Strat.

Fender-i është në biznes të çuditshëm”, thotë Bonamassa. “Paramendo të jesh CEO i Ford-it dhe biznesi kryesor aty është të bësh një makinë që duket e njëjtë me atë që ke bërë në vitet 1950. Ndërsa, klientët nuk i duan përmirësimet … Kompanitë e kitarës shesin nostalgji – por, edhe diçka që është e përjetshme … Nëse ke pak kreativitet, zgjuarsi dhe pak guxim, mund ta sundosh botën me një Strat”.

Justin Norvell punon që 28 vjet në Fender. Si nënkryetar ekzekutiv i produkteve, detyra e tij është ta mbajë Stratin si kitarë relevante. “Duhet ta përmbledhim të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen”, thotë ai. “Duhet të kuptojmë se si ecën ky instrument i pandryshuar që nga viti 1954 … Kurrë nuk është shndërruar në relike. Kjo për shkak të grupeve të reja që vijnë dhe shpërthejnë në skenë me dizajnin 70-vjeçar. Strati rishpiket me çdo brez”.

Strati të cilin Fenderi e projektoi fillimisht, në thelb ishte një Telecaster i lavdëruar. Por, ardhja e dizajnerit dhe inxhinierit Freddie Tavares, këtë e ndryshoi. U frymëzua nga basi Precision, ndërsa shtoi disa cilësi inovative.

Stratocaster-i – i emëruar nga shefi i shitjeve të Fender-it, Don Randall – debutoi në janar 1954 dhe u shfaq në dyqane në prill të atij viti. Nuk ishte sukses i menjëhershëm. Shitjet nuk ishin të mira, pavarësisht se rokënroli avanconte. Siç ka shkruar Tom Wheeler në vitin 2004, instrumenti dukej se ishte “larg nga kitarat konvencionale … Shumë muzikantë profesionistë e panë kitarën e re si të padenjë për t’u marrë seriozisht. Ishte thjesht një mjet, mashtrim – madje edhe shaka”.

Gjërat ishin më keq në Mbretërinë e Bashkuar, ku as që ishte e mundur të merrje një të tillë. Për shkak të një embargoje britanike, Strati nuk mbërriti zyrtarisht deri në fillim të viteve 1960 – edhe pse modeli i parë arriti disi në vitin 1959. Ishte një model i kuq të cilin Cliff Richard ia dha Hank Marvinit, kitaristit të grupit të tij Shadows. Marvini u bë menjëherë heroi i parë i asaj kitare në Britanisë – dhe shumë yje të ardhshëm e ndoqën.

“Kitara ime e parë duhej të ishte e kuqe, për shkak të Hank Marvinit”, thotë bashkëthemeluesi i grupit Dire Straits, Mark Knopfler, i cili kalonte pranë një dyqani të kitarave kur kthehej nga shkolla në shtëpi. Përfundimisht e zotëron një të tillë, duke e interpretuar me të në hitin e vitit 1978 – Sultans of Swing.

Popullariteti i Stratit u rrit gjatë viteve 1960. Pika kulmore erdhi me Hendrixin, ndoshta kitaristi më me ndikim i të gjitha kohërave i cili rrallëherë është parë duke luajtur me diçka tjetër përveçse me Strat. “Një nga nuancat magjepsëse të tij”, thotë e motra Janie, “ishte se kitarat e tij nuk ishin thjesht instrumente, por pjesë e personalitetit të tij”.

Kur grupi Stone Roses incizonte albumin e tyre debutues në vitin 1988, producentit John Leckie nuk i bëri përshtypje tingulli, kështu që kitaristit i dha një Strat me qira. “Përfundova duke e blerë”, thotë John Squire. “Ishte kitarë shumë e mirë”. Squire thotë se nuk është koleksionist, megjithëse, teksa më flet me telefon nga shtëpia, katër Stratë i ka përreth vetes.

Simon Neil nga Biffy Clyro, merr Stratin e parë nga babai i një shoku të grupit. “Tri albumet e para i incizova me atë Stratocaster”, thotë ai. “Është kitara më ekspresive me të cilën kam luajtur ndonjëherë. Ka arsye se pse ende e përdor. Nuk mund të bëjë muzikë pa Strat”.

Ndërkohë, Mac DeMarco thotë se fillimisht u nxit nga artistët si Hendrix, Eric Clapton dhe Jeff Beck, duke pasur parasysh lidhjen e tyre me Strat. “Ishin perënditë e kitarës”, thotë ai. “Duhej të hapja rrugën time. Jeff Beck ishte shefi i kësaj kitare. Nuk mund të konkurrosh. Por, në një moment të caktuar, pasi provova gjërat e tjera dhe nuk i pëlqeva, e bleva një Strat të viteve 1970 … Është e vetmja gjë që të nevojitet”.

Në vitin 1965, Leo Fender ia shiti kompaninë gjigantit mediatik CBS. Kompania i rriti shitjet me 30 përqind në vitin e saj të parë dhe me 45 përqind një vit më pas. Megjithatë, pas rënies së vazhdueshme të shitjeve në vitet 1970 dhe 1980, CBS ia shiti firmën një grupi të investitorëve, në vitin 1985, përfshirë punonjësve. Këto ditë, Fender-i është kryesisht në pronësi të Servco Pacific. Si kompani private, nuk i publikon shifrat e shitjeve, por Norvell tund me kokë kur flas nëse mund të ekzistojnë miliona, ndoshta dhjetëra miliona të Stratëve. U raportua gjithashtu se në vitet e pandemisë ishin shitjet më të mira për Fender-in, duke sugjeruar se ka ende shumë oreks për këtë klasik 70-vjeçar.

Dhe e gjithë kjo doli nga mendja e Leo Fenderit, një njeriu që me sa duket nuk mund të akordonte as një kitarë dhe që thoshte se nëse i ka 100 dollarë për të bërë diçka, do të “shpenzonte 99 dollarë për ta bërë funksional dhe një dollar për ta bërë të bukur”.

Misioni u përmbush.

Të ngjashme
ShowBiz • 29 Prill 2024