Lajme
Nëse çmimet e rrymës rriten sërish “ka ndërhyrje politike” – rrugët ligjore e vetmja zgjidhje
Demokracia
08:13 | 30 Mars 2024

Share:

Miratimi i tarifave të reja në mbledhjen që do të mbahet me 2 prill nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kjo më kërkesë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), do të shënojë herën e tretë të rritjes së çmimit të energjisë në qeverisjen e kryeministrit, Albin Kurti, në një situatë ku inflacioni është jashtëzakonisht i lartë.

Rritje të çmimeve për herë të fundit në Kosovë pati në muajin dhjetor dhe që nga miratimi i tarifave qindra qytetarë reaguan për faturat që pranonin me çmime të dyfishuara pa e kuptuar arsyen konkrete se përse është bërë kjo rritje marramendëse.

Madje, për një vendim të tillë nuk kishte pasur paralajmërim.

“Nëse rriten çmimet e energjisë – ka ndërhyrje politike”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, në një bisedë për Albanian Post thotë se nëse çmimet e energjisë rriten sërish kjo lë të nënkuptohet për “ndërhyrje politike”.

Ai sqaron se rritja mund të bëhet vetëm nëse miratohet nga ekzekutivi.

“Shpresoj që vendimi final të jetë në favor të qytetarëve, në favor të mos ngritjes së çmimit të energjisë. Nëse ndodh kjo direkt them se ka ndërhyrje politike, sepse veprime të tilla siç është kërkesa e KEK-ut dhe disa gjëra të tjera nuk mund të shkojnë pa kaluar në duart e Qeverisë, konkretisht ministrisë së Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë”, thotë Shala për Albanian Post.

“Vendimi të tilla nuk merren pa aprovim dhe pa dakordim me Qeverinë dhe në rast se ekzekutivi miraton këtë rritje të çmimeve është hera e tretë që ky pushtet rrit çmimet në energji elektrike”.

Ilustrim: Faturat e energjisë elektrike.

Sipas tij, çmimet e rrymës nuk duhet të shënojnë rritje për shkak të ngritjes që është bërë në të kaluarën.

“Konsideroj që rregullatori si organi i vetëm rregullues dhe monitorues nuk duhet të marrë vendim për ngritjen e tarifave, s’duhet të marrë vendim për shkak të proceseve që ka kaluar sektori i energjisë, për shkak të ngritjes së energjisë elektrike dy herë brenda vitit, për shkak të një inflacioni të lartë dhe për shkak të një ekonomi që e ka renduar jashtëzakonisht xhepin e qytetarëve”.

Shala potencon se do të marrin veprime konkrete nëse ndodh rritje e çmimeve të energjisë.

“Nëse ndodh një rritje e tillë ne si Komision Parlamentar, do të kërkojmë urgjentisht përgjegjësi nga Zyra e Rregullatorit dhe nga Qeveria duke i përdorur të gjithë mekanizmat legjislativē dhe ligjvënës”.

“Të ndiqen rrugët ligjore, nëse rriten çmimet”

Edhe nga këndvështrimi i ekonomistit Bashkim Mustafa, s’ka asnjë arsye që çmimet e energjisë të shënojnë rritje sërish.

Ai në një përgjigje për Albanian Post përmend rastin e vitit të kaluar duke u munduar ta arsyetojë atë me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Nuk ka arsye të qëndrueshme në rast se merret vendim sërish për t’u rritur çmimi i energjisë elektrike. Në kohën kur u ngritën çmimet vitin e kaluar, ka pasur rritje të çmimit edhe në tregjet ndërkombëtare, tani nëse merren këta faktorë parasysh nuk është e qëndrueshme që çmimet të rriten sërish”.

Madjd, Mustafa shpreson se, “nëse merren të gjitha rrethanat për bazë, do të pres që të ketë ulje të çmimit”.

Ndër të tjera, shton se nëse tarifat e reja miratohen duhet urgjentisht të ndiqen rrugët institucionale për ankesa.

“Qoftë nga Kuvendi apo qoftë nga organet e tjera”, thotë ai duke u shprehur se shqetësimin e ka tek qytetarët.

“Nëse ndodh diçka e tillë do të jetë e papërballueshme për qytetarët, duke e ditur se kemi një inflacion jashtë çdo norme viteve të fundit dhe do ta vështirësonte edhe më tepër stagnimin ekonomik në të cilin veçse jemi”, pohon Mustafa për Albanian Post.

Çka thanë ZRRE-ja dhe KEK-u për tarifat e reja?

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), të pyetur nga Albanian Post lidhur me vendimin për tarifat e reja të energjisë elektrike kanë thënë se vendimi do të merret me 2 prill në mbledhjen e së martës.

“Sipas vendimit, Bordi ka kërkuar nga operatorët që bazuar në të hyrat e lejuara, të dorëzojnë sa më shpejt që është e mundur kërkesat për tarifat e reja të cilat do të miratohen në seancën e ardhshme të Bordit”, është thënë nga ZRRE-ja.

Ndërsa nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në një përgjigje me shkrim për Albanian Post kanë thënë se kanë dorëzuar kërkesë për rishikim të çmimeve tek KESCO/KEDS.

“Propozimi I KEK për çmimet e reja ka qenë 31.50€ për KESCO dhe 39.10€ për KEDS. Megjithatë, KEK nuk ka informata që është aprovuar rritja e çmimit sipas kërkesës tone, për më tepër gjatë shqyrtimit tarifor nga ZRRE bazë për kalkulimin e të hyrave për KESCO/KEDS është marrë çmimi aktual me të cilin furnizohen”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga KEK-u për kërkesën e bërë kanë thënë se çmimet e energjisë nuk kanë pësuar ndryshime që nga viti 2019 me kërkesë të KEK-ut, por kanë lëvizur për arsye tjera.

KEDS/KESCO.

“Arsyet (pse KEK më parë s’ka kërkuar rritje) për këtë kanë qenë fillimisht pandemia e më pastaj kriza energjetike. Edhe pse çmimet e energjisë elektrike të KEK-ut nuk kanë pësuar ndryshime, gjithsesi tarifat apo çmimet e KOSTT për Operim të Tregut dhe Operim të Sistemit kanë pësuar rritje vazhdimisht dhe kjo paraqet kosto direkt për KEK-un”.

“Kostot direkte të KEK-ut vazhdimisht janë rritur por edhe kostot tjera janë rritur dukshëm krahasuar me vitet paraprake dhe për këtë dëshmon edhe fakti që vendi është ballafaquar me një inflacion prej rreth 5.4% gjatë vitit 2023”, është thënë nga KEK-u.

Kërkesën thonë se e kanë bërë me qëllim që të sigurojnë mjete të mjaftueshme për të bërë investime të nevojshme kapitale.

“Të cilat do të ndikojnë në stabilitetin e njësive gjeneruese”.

Nga 1 prilli i 2023-ës qytetarët në Kosovë kanë nisur t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike për 15 për qind më shtrenjtë.

E në dhjetor faturat sërish pësuan rritje pa paralajmërim. 

Të ngjashme