OpEd
Analiza e javës: Neo-titizmi i Vuçiqit e shndërroi Serbinë në “bamirëse” me vaksinat anti-Covid
Demokracia
13:50 | 28 Mars 2021

Share:

Duke e bërë Perëndimin të garojë me shtetet e fuqishme në Lindje për të bërë për vete Serbinë, Vuçiq po tenton të mbulojë kapitullin e përgjakshëm të viteve 90 të shekullit të kaluar me kapitullin e “shpëtimtarit” të rajonit në pandeminë e Covid-19.

Serbia po përparon me hapa të shpejtë drejt vaksinimit të popullsisë së vet mbi 7 milionëshe, me vaksinat kundër COVID-19. Madje, këtë fundjavë Serbia i ka hapur kufijt e saj edhe për qytetarë të shteteve fqinje që të vaksinohen në Serbi.

Por, cila ishte strategjia e suksesit të Serbisë në këtë rrafsh karshi vendeve tjera, jo vetëm të rajonit, por edhe atyre anëtare të Bashkimit Evropian, dhe cilat do të jenë implikimet e saj afatgjate?

Kjo Strategji e Serbisë duket tepër e thjeshtë: merr çdo vaksinë që ndodhët në tregun global, pa i vendosur vetës kufizime gjeopolitike.

Lidershipi i Serbisë aktualisht me mburrje po deklaron se nuk i intereson cili prodhues i sjellë vaksinat, përderisa mund t’i sigurojnë për t’iu ndihmuar njerëzve dhe ato tregohen të suksesshme.

Për dallim nga vendet tjera, që nuk e kanë këtë lloj luksi, sot në Serbi mund të zgjedhësh secilën vaksinë, nga secili prodhues që dëshironi ta merrni. Pra, mund të kërkoni duke zgjedhur si nga një “Meny” restoranti: BioNtech, Pfizer, AstraZeneca, Sputnik, Sinovac, Sinopharm, etj.

Me politika neo-titiste, lidershipi i saj duke i ruajtur relacionet si me Rusinë e Kinën në njërën anë, ashtu edhe me BE-në, Gjermaninë e Francën në anën tjetër, por së fundmi edhe me SHBA-në, ia ka dalë të sigurojë më së shpejti dhe më së shumti vaksina në rajonin tonë.

Josip Broz – Tito, si udhëheqës i Jugosllavisë, luante me Perëndimin dhe lindjen duke u afruar me të dyja palët, duke i bërë këto dyja që të “garojnë” se cila do ta bëjë për vete Titon dhe Jugosllavinë.

Mbi të gjitha, si rezultat i kësaj, Serbia tash po mundohet që përmes vaksinave ta shtrijë ndikimin edhe në vendet e rajonit, duke ua ofruar ato falas.

Këtë fundjavë janë raportuar radhë kilometrike të veturave që prisnin për të hyrë në Serbi, për të shkuar në Beograd për të marrë vaksinën.

Këto vaksinime janë shoqëruar me lavdërime në rrjetet sociale nga ata që i kanë marrë vaksinat dhe me kritika e sharje të tyre për qeveritë e shteteve prej nga vijnë këta qytetarë.

Në këtë mënyrë ajo tash po arrin ta luajë rolin e bamirësit rajonal, përkundër që është shteti që i nisi të gjitha luftërat e përgjakshme dhe bëri gjenocid në rajonin tonë dhe as që ka shprehur keqardhje për këtë, e le më të kërkojë falje.

Synim përfundimtar është që të projektojë veten (Serbinë) si protagonist kryesor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pozicion që është munduar ta marrë në shumë forume por nuk i është pranuar nga shtetet tjera të rajonit.

Vendet tjera të Ballkanit dhe Evropës, ndonëse po iu kushton me jetë njerëzve, kanë mbetur tërësisht prapa për arsye gjeopolitike, duke u rreshtuar sipas sferave të interesit të prodhuesve: Perëndim-Lindje, Rusi, Kinë, etj.

Bosnje e Hercegovina ishte e parafundit në rajon që i siguroi vaksinat.

E fundit vazhdon të jetë Kosova, duke mos pasur as edhe një dozë të vetme të ndonjë vaksine kundër pandemisë, me përjashtim të disa dozave – shumë të mirëseardhura – të dhuruara nga Shqipëria për personelin shëndetësor të Kosovës, të cilët i kanë marrë në Kukës.

Në fakt, dështime në vaksinim po përjetojnë edhe shtetet më të zhvilluara europiane. Dështimet janë kryesisht në planifikim dhe logjistikë, pra në shpërndarjen dhe administrimin e vaksinës.

Këto vonesa po kushtojnë me jetë njerëzish dhe po detyrojnë mbyllje të reja që shndërrohen në goditje të reja për ekonomitë e të gjitha vendeve. Për këtë sigurisht që duhet kërkuar përgjegjësi nga qeveritë dhe politikanët që ishin përgjegjës për sigurimin e vaksinave.

Pandemia e Covid-19 ka vënë në pikëpyetje shumë vlera e parime me të cilat kanë janë identifikuar dhe kanë funksionuar shtetet e shoqëritë perëndimore dhe kjo ka lënduar solidaritetin mes shteteve perëndimore.

Shtetet autoritare si Kina e Rusia, e Serbia në rajon, po mundohen të shfrytëzojnë këto çarje në këtë solidaritet dhe bashkëpunim për të quar përpara synimet e tyre strategjike afatgjata – të relativizojnë vlerat dhe parimet me të cilat identifikohet perëndimi dhe të zbehin rolin e tij në botë. Zemërimi i qytetarëve me vaksinat dhe në përballjen me pandeminë në përgjithësi e bën më të lehtë këtë relativizim. E tërë kjo do të kërkojë një rishikim të thellë koncepteve të sigurisë në Europë dhe në Perëndim në përgjithësi. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

COVID-19 duhet t’i ndryshojë konceptet e shteteve për sigurinë nacionale – Demokracia

Të ngjashme