Lajme
Në QKUK mungon çdo gjë, ministri Latifi i shpenzon 11 mijë euro në tepihë
Demokracia
14:39 | 06 Korrik 2022

Share:

Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Rifat Latifi ka vendosur të blejë tepihë për zyre. Tenderi për blerjen e tyre është shpallur ditë më parë, derisa janë planifikuar të shpenzohen 11 mijë euro. Është kërkuar që tepihët të jenë me cilësi të lartë.

Janë bërë më shumë se tetë muaj që kur shëndeti i qytetarëve të Kosovës i është besuar Rifat Latifit.

Por, gjatë tërë kësaj kohe nuk mbahet mend ndonjë punë që ka bërë Latifi për të mirën e qytetarëve.

Këta tetë muaj të qëndrimit në Kosovë dhe punës si ministër, ai më shumë i ka kaluar në takime “koti”, ku mbahet mend për veshjet e veçanta me fjongo dhe kaubojka.

Mirëpo, kjo nuk është e tëra, shkruan Demokracia.com.

Tash kur në Qendrën Klinike të Kosovës mungon çdo gjë dhe qytetarët paguajnë për gjilpëra e barna esenciale, ministri Latfi ka vendosur ta bëjë një “investim kapital”.

Në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë do të vendosën tepihët e rinj.

Blerja e tyre po i kushton buxhetit të shtetit hiç më pak se 11 mijë euro, përcjell Demokracia.com.

“Furnizim me tepiha për MSH. Objekti i Ministrisë se Shëndetësisë. Vlera e parashikuar e kontratës: 11 000,00. Sipas sasisë te përshkimi i çmimeve. Data 28.07.2022 koha 14:00:00 vendi MSH, E-Prokurim”, thuhet në njoftimin e bërë në KRPP.

Ministria ka kërkuar që tepihët duhet të kenë cilësi të lartë. Po ashtu, ngjyra duhet të jetë sipas kërkesave.

“Furnizim me tepiha të kualitetit të lartë për sallën nr.128 dhe zyrën nr. 116 në objektin e MSH-së, ngjyra sipas kërkesës nga AK. Sasia 160 copë. Furnizim me tepih rrugorë të kualitetit të lartë për korridoret e objektit të MSH-së, gjerësia e tepihut duhet të jete 1.30 cm, ngjyra sipas kërkesës së AK. Sasia 610 copë”, tregohet në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Aty janë dhënë edhe disa sqarime shtesë, ku sipas dosjes së tenderit duhet të përmbushen me çdo kusht.

Kompania fituese do ta ketë edhe një punë shtesë më tepihët që janë aktual në MSH.

“Sqarim shtesë: Ngjyra e tepihëve do të përzgjidhet nga AK. Operatori Ekonomik fitues është i obliguar që tepihët aktual të vendosur në korridore, sallë dhe zyrën e Sekretarit te Përgjithshëm ti heq, ti pastroj hapësirat dhe të vendosen tepihët e ri. Në kuadër të vendosjes së tepihëve duhet te përfshihet edhe ngjitësi adekuat si dhe qepjet e nevojshme”.

Tek karakteristikat janë përshkruar disa specifikime si trashësia dhe lartësia e fijeve sipas ISO Standardeve dhe CE për kualitet dhe cilësi të lartë.

Kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar ministër të Shëndetësisë në nëntor të vitit të kaluar, Rifat Latifin, pas dorëheqjes së Arben Vitisë nga kjo pozitë për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës. /Demokracia.com/

Të ngjashme