Lajme
Në Institutin që u kaplua nga zjarri ruhen edhe disa nga mostrat e Astrit Deharit
Demokracia
10:01 | 21 Nëntor 2023

Share:

Instituti i Mjekësisë Ligjore është kapluar nga një zjarr i madh. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe patrulla e zjarrfikësve.

Në këtë institut ruhen raportet e autopsive dhe ekzaminimet e ndryshme që kryhen nga ekspertë të këtij instituti, që u kaplua nga një zjarr sot në mëngjes.

Në këtë institut, ruhen edhe mostrat e Astrit Deharit, aktivistit të VV-së që ndërroi jetë në burg shtatë vite më parë. Madje, pikërisht në këtë institut ishin zhdukur një pjesë e mostrave të Deharit, gati një vit më parë.

Në lidhje me zhdukjen e mostrave të Deharit kishte alarmuar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“Mbrëmë, në orët orët e vona, jam lajmëruar se janë zhdukur disa mostra nga laboratori i toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë e një akt kriminal. Për këtë arsye, mbrëmë i kanë njoftuar drejtorin e policisë dhe kryeprokurorin e shtetit. Neraksat-Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran. Sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat, kanë qasje vetëm tre persona”- ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, për këtë çështje, pra zhdukjen e mostrave, Prokuroria e Kosovës kishte hapur hetim.

“E kam njoftuar Kryeprokurorinë e Prokurorisë Speciale, unë jam pushim vjetor. Është duke u marrë Policia dhe Prokuroria me këtë rast. I kemi ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore menjëherë”, – kishte thënë Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi.

Ndryshe, Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht që një pjesë e mostrave të Deharit ishte gjetur pas zhdukjes. Në një përgjigje për Nacionalen, Policia e Kosovës njoftoi se nuk ka të lënduar nga zjarri.

“Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.” – deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

Të ngjashme