Lajme
Në Bruksel pritet të arrihet marrëveshje për të pagjeturit dhe një e re për targat
Demokracia
11:07 | 18 Gusht 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme do të takohen në Bruksel.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe pas tensioneve të krijuara më 31 korrik në pjesën veriore të Mitrovicës, si pasojë e masës së reciprocitetit për dokumentet serbe dhe për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe, sot në Bruksel do të takohet kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Demokracia.com mëson se Kurti gjatë ditës së sotme pritet të nënshkruajë një marrëveshje të re për targat dhe afër është edhe arritja e marrëveshjes për personat e pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë ditës së djeshme i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka zbarkuar në Bruksel dhe është takuar me Kurtin e Vuçiqin, i cili ka theksuar se asnjë marrëveshje nuk duhet të bëhet që cenon sovranitetin e Kosovës, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, raporton Demokracia.com.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, Kurti është takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili theksoi se çfarëdo që do të ndodhë në veri të Kosovës, KFOR-i dhe NATO është e gatshme për të ndërhyrë. /Demorkacia.com/

Të ngjashme